Helmimi i fëmijëve në Gramsh/ Prindërit lajmërojnë protestë: Fëmija ishte me temperaturë 39, nuk pushonte së vjelluri…

Të tjera detaje janë zbardhur në lidhje me helmimin e disa fëmijëve në Gramsh. Prindërit shprehen se fëmijët e tyre kanë pasur temperaturë dhe të vjella për shkak të helmimit. Brenda 24 orëve, të paktën 12 fëmijë u paraqitën në spitalin e Gramshit, ndërsa disa prej tyre u mbajtën nën kujdes intensiv pediatrik për shkak të dehidratimit të theksuar.

Një prind ka theksuar për media se nuk e dinte se kishte edhe fëmijë të tjerë në të njëjtën gjendje shendetësore si fëmija i tij teksa shtoi se këtë e mësuan në urgjencë. Ata shtojnë se kopshti nuk i ka njoftuar për asgjë.

“Fëmija im ishte me temperaturë 39 dhe nuk pushonte së vjelluri. E çuam në urgjencë dhe vetëm atëherë mësuam se kishte edhe të tjerë në të njëjtën gjendje,” ka thënë një prind.

“Kopshti nuk na njoftoi për asgjë. As nuk e dinim se mund të ishte helmim,” shton ai më tej.

Prindërit kërkojnë përgjigje dhe ndëshkime lidhur me rastin e rëndë, mirëpo institucionet vendore shprehen të qetë dhe se gjithçka është nën kontroll, ndonëse alarmin duhet ta kishin dhënë katër ditë më parë.

Shumë prej prindërve janë të shqetësuar që rasti mund të mbulohet dhe që askush të mos mbajë përgjegjësi. Ata kanë paralajmëruar që në fillim të javës do protestojnë para kopshtit.