Gurët bllokojnë aksin drejt digës së Bovillës, grupet e emergjencës në terren

Rruga që të çon drejt digës së Bovillës në Tiranë është bllokuar plotësisht si pasojë e rrëshqitjes së gurëve nga shpati i malit, pas reshjeve të dendura të shiut gjatë orëve të fundit.
Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura njoftoi përmes një deklarate në rrjetet sociale se situata paraqet rrezik për lëvizjen e mjeteve dhe qytetarëve, ndërsa institucionet po punojnë në koordinim për të ndërhyrë me mjetet e nevojshme.

“Të gjitha institucionet po bashkërendojnë punën për të ndërhyrë me mjetet e duhura, për shkak edhe të rrezikshmërisë që paraqet situata,” thuhet në njoftim.

Nga pamjet e publikuara, duken gurë masivë të shkëputur nga lartësitë, të cilët kanë bllokuar plotësisht rrugën përgjatë kanionit të Bovillës. Për pasojë, disa fshatra të zonës, si Rrazë, Bruz, Bruz-Mal, Bruz-Zallë dhe Dushë, janë aktualisht të izoluar dhe pa mundësi komunikimi me Tiranën.

Në terren ndodhen grupet e punës së bashkisë, IKMT, zjarrfikësja dhe strukturat e emergjencave civile, të cilat po vlerësojnë situatën dhe rrezikun e rrëshqitjeve të tjera. Ndërhyrja me mjete të rënda pritet të nisë sapo të garantohet siguria e punonjësve.
Autoritetet u bëjnë apel qytetarëve të shmangin lëvizjen në këtë aks deri në njoftim të dytë.