Gati libri i radhës, Edi Rama: Jam dashnor i përkushtuar i gjuhës shqipe

Edi Rama

TIRANË- Edi Rama duket se e ka gati “surprizën” e radhës, këtë herë jo në fushën politike. Në podcastin e tij të përjavshëm, kryeministri u shpreh se pasioni për të shkruar nuk është larguar, por për shkak të angazhimeve nuk ka më aq kohë sa dikur. Megjithatë, ai duket se ka gjetur kohën për të sjellë librin e tij më të ri, i cili lidhet me fjalët e sofrës së iftarit.
Rama tha se vazhdon të hedhë në letër fragmente gjatë udhëtimeve apo përgatitjeve të punës, thjesht nga kënaqësia për të shkruar në shqip. Ai theksoi se takimet me Ismail Kadarenë kanë qenë takime ku flisnin kryesisht për gjuhën shqipe.
“Jam dashnor i përkushtuar i gjuhës shqipe; e ndjej dhe më pëlqen të shkruaj. Madje, në rastet e rralla kur më është dhënë mundësia të takohem me Ismailin, pjesa që më tërhiqte më shumë ishte kur arrija ta fusja në bisedë për gjuhën. Natyrisht, ai e zotëronte shqipen në mënyrë të jashtëzakonshme. Ajo që më pëlqente shumë ishte kur ai bënte krahasimin me rusishten.
Unë nuk kam më mundësi të ulem e të shkruaj siç kam shkruar ‘Kurbanin’. Më pëlqen shumë të shkruaj copëza, që lidhen me punën, fjalimet. Tani po përgatis një libër me fjalët e sofrës së iftarit, thjesht për kënaqësinë e shqipes, jo për ndonjë arsye tjetër, si edhe nga dëshira për të parë në një libër disa gjëra që i kam shkruar me shumë pasion”,- u shpreh Rama.

/ZËRI