Rrëshqitja e masivit shkëmbor në aksin Qukës–Qafë Plloçë ka rikthyer në vëmendje një nga problemet më të rënda të infrastrukturës shqiptare: pasojat e korrupsionit dhe paaftësisë në projektet publike. Ajo që fatmirësisht nuk u kthye në tragjedi, sot shërben si një paralajmërim i qartë për rrezikun me të cilin përballen çdo ditë mijëra qytetarë që qarkullojnë në këtë rrugë. Ngjarja ka nxitur reagimin e deputetit të Partisë Demokratike në qarkun e Elbasanit, Bledi Himci, i cili i kërkon qeverisë transparencë, përgjegjësi dhe masa të menjëhershme për garantimin e sigurisë publike.
Reagimi i deputetit të PD, Blendi Himçi:
Rrezik në aksin Qukës–Qafë Plloçë, kur rruga ‘strategjike’ kthehet në kërcënim për qytetarët Një masiv shkëmbor ka rrëshkitur në aksin Qukës–Qafë Plloçë, fatmirësisht nuk pati viktima. Por ky incident mund të kishte qenë fatal dhe sot, dikush apo disa individë nuk do të kishin mundësi të ktheheshin pranë familjes nëse ai masiv do t’i kishte zënë poshtë. Rasti tregon qartë cilësinë e ulët të punimeve dhe mënyrën sesi paratë publike shpërdorohen, lekët futen në xhep, ndërsa qytetarët udhëtojnë mes rrezikut. Nuk është rastësi! Kur tenderat mbyllen në telefon, kur fituesit parapërcaktohen nga Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku, kur mungon transparenca dhe kontrolli teknik… rezultati është një rrugë e pasigurt dhe e paqëndrueshme. Kujtojmë se për këtë aks u deshën plot 14 vite ndërtim dhe u harxhuan 260 milionë euro. Rruga që duhej të ishte investim strategjik Lindje–Perëndim, sot është simbol i mungesës së përgjegjësisë dhe keqmenaxhimit të fondeve publike. Qukës–Qafë Plloçë nuk mund të jetë makth i përditshëm për qytetarët, duhet të jetë siguri, zhvillim dhe integrim. Kërkojmë transparencë, hetim të plotë dhe garanci për sigurinë e çdo përdoruesi të kësaj rruge. Qytetarët nuk duhet të paguajnë me jetën e tyre për gabimet e pushtetit!
