Situata e reshjeve në qarkun e Fierit këtë të dielë paraqitet e përmirësuar. Verifikimet në terren dhe pohimet e banorëve, tregojnë se niveli i ujërave në lumenjtë kryesorë është në rënie. Banorët pohojnë se dëmet nga përmbytjet janë të mëdha dhe se deri tani askush nuk ka shkuar që ti verifikojë. Ata janë pesimist sa i përket marrjes së dëmshpërblimeve
SYRI TV
Në lumin Vjosë, uji është tërhequr, duke u larguar gradualisht nga tokat bujqësore dhe oborret e banesave. E njëjta situatë paraqitet edhe në lumin Seman, ku prurjet janë stabilizuar dhe niveli ka filluar të ulet. Aktualisht, mbi 100 hektarë tokë të mbjella me grurë dhe kultura të tjera bujqësore mbeten ende të përmbytura, por fatmirësisht nuk raportohet për banesa apo bagëti të dëmtuara.
Banorët e zonës pohojnë se gjatë të shtunës disa përfaqësues politikë u shfaqën për të parë situatën, por deri tani nuk janë paraqitur ekipe zyrtare për të verifikuar dhe përllogaritur dëmet e shkaktuara nga përmbytjet.
Mbrëmjen e së shtunës, Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vëngu, ka qenë i pranishëm pranë lumit Seman në Mbrostar për të parë nga afër gjendjen. Megjithatë, i pyetur nga gazetarët mbi situatën, ministri nuk ka preferuar të bëjë asnjë deklaratë.
Reshjet kanë pushuar dhe lumenjtë janë në tërheqje, por banorët presin ende qartësi mbi dëmet dhe hapat e mëtejshëm të institucioneve.
