Arma e Petrit Mernicës
FIER- Një 57-vjeçar është vënë në pranga nga policia e Fierit pasi u kap duke lëvizur i armatosur 57-vjeçari i arrestuar rezulton të jetë i dënuar më parë për vrasje në fshatin Fermë Çlirim. I arrestuari është Petrit Mërnica, banues në fshatin Sulaj, i cili më herët ka kryer një dënim prej 20 vitesh për vrasjen e kunatit të tij. Ai është babai i Azgan Mërnicës, i cili në vitin 2024 qëlloi për vdekje me plumb në kokë efektivin e ‘Shqiponjave’ Novruz Canaliaj.
“Finalizohet operacioni policor i koduar “Pathway”.
Lëvizte i armatosur me pistoletë me vete, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 57-vjeçari, i dënuar më parë për vrasje. Sekuestrohet arma e zjarrit pistoletë me 2 krëhëra me municion luftarak.
Shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve Kundër Personit dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, bazuar edhe në informacionet e siguruara për një shtetas që lëvizte i armatosur, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Pathway”. Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë kapur në flagrancë, në një lokal në fshatin Fermë Çlirim, shtetasin P. M., me 1 armë zjarri pistoletë, me 2 krëhëra me nga 7 fishekë, që i mbante në çantën e dorës. Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan shtetasin P. M., 57 vjeç, banues në fshatin Sulaj, Fier, i dënuar më parë për vrasje. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme”,- njofton policia.
ZËRI ju risjell në vemendje dhe njëherë kronologjinë e fisti Mërnica!
Kronologjia e fisit Mërnica
Rasti i parë i përfshirjes së tyre në krime ishte kur Petrit Mërnica, babai i Kirit dhe Azganit vrau kunatin e tij. Petrit Mernica ka bërë 20 vite burg për këtë vrasje, por siç duket ua ka trashëguar djemve shprehjen e rrënjosur thellë ‘burgu është për burrat’, që përdoret për t’i lehtësuar dhimbjen familjarëve kur një prej anëtarëve përfundon pas hekurave. Por nga ana tjetër, këtyre burrave u çohet ushqim, veshje e gjithçka që u duhet për të jetuar brenda katër mureve.
Në fakt burgu është për ata që kanë shkelur ligjin, qofshin këta burra, djem, gra e vajza! Burgu është ndëshkimi që merr kur nuk i je bindur ligjit dhe kjo nuk të bën më shumë burrë.
Një tjetër anëtar i fisit Mërniça që ndodhet pas hekurave është edhe daja i Azgan Mërnicës, i cili është duke kryer dënimin me burg në Gjermani.
Vrasja e Florian Selimit
Në Gusht të vitit 2019, në fshatin Sulaj të Fierit u gjet i vrarë me thikë 23-vjeçari Florian Selimi. Trupi i tij ishte hedhur në një kanal dhe u gjet pas disa orësh kërkime. Por edhe pse kanë kaluar pesë vite nga kjo ngjarje, nëna e Florian Selimit nuk ka gjetur drejtësi. Ajo ka vite që ndjek dhjetëra seanca që zhvillohen për dy personat që janë marrë të pandehur për vrasjen e djalit të saj, Kiri Mërnica dhe Sadri Selaci, por deri më tani nuk ka një vendim të formës së prerë.
Pas krimit, më 13 gusht 2019, policia në komunikatë zyrtare njoftoi se kishte zbardhur dhe dokumentuar ngjarjen dhe se ishin arrestuar autorët e dyshuar të krimit, por sot pas 4 vitesh, kur pyetet në sallën e gjyqit shefi i krimeve thotë që nuk mban mend asgjë.
Plagosja në vitin 2021
Më 17 prill të vitit 2021, Kiri Mërnica do të rikthehej si pjesë e kronikës së zezë, pasi po në fshatin Sulaj të Fierit, plagosi Pashk Palnikajn. Plagosja u bë në bashkëpunim me dy persona të tjerë që u vunë në pranga, Mirand Mërnica dhe Liri Biçaku, ndërsa në kërkim u shpall Robert Mërnica. Edhe familja Palnikaj është larguar nga ky fshat i Fierit.
Kiri Mërnica ishte lënë në ‘arrest shtëpie’ në rrethana ende të paqarta për vrasjen e Selimit, por kjo gjë nuk e kishte penguar që të merrte armën dhe të qëllonte sërish.
Ai ia kishte dalë njëherë t’i shpëtonte burgu dhe mund ta bënte sërish!
E këtë siguri siç duket e kishte marrë edhe Azgan Mërnica që vendosi t’i bashkohej fisit të inkriminuar kur qëlloi drejt e në kokë policin Cenalia, pa i bërë përshtypje që në makinë kishte dhe të ëmën./ZËRI
