Pse nuk funksionon zëdhënja Balluku?

Nga Ylli Dylgjeri/

Skandali dhe abuzimi i zëvëndëskryemistres Balluku është deri më tash nga më

madhorët që njeh historiku i Ministrisë e Infrastuktrures dhe Energjitikës. Është më i madh në historinë e Qeverive shqiptare. Është më i madhi i së majtës shqiptare. Është më i madhi në 33 vite demokraci. Është më i madhi në vlerë monetare…Është më i madhi edhe në Rajon.

Shohim vetëm një “sulkuqe” që hyn e del si e pickuar në SPAK pa shpjegime dhe Kryeministrin që shpërthen me deklarata kundër gjyqësorit.

Shohim vetëm një zëdhënës që i mban çadrën e shiut Zëvendëskryeministres. Shohim bodiguardë që i hapin dhe mbyllin derën.

Po nuk shohim kërkënd që të hapë e mbyllë gojën për hiper skandalin.

Ajo që dallon në tëre këtë skenë krimi është blackauti informativ i strukturës administrative që paguhet për këto punë.

Nuk bzan njeri.

Nuk ka informacion nga zëdhënësi i Ministrisë, nga Sekretari i Përgjithshëm, nga Drejtorët e Përgjithshëm nga askush që e ka detyrë funksionale të flasë e të sqarojë taksapaguesit shqiptar se çpo ndodh me lekët e tyre?

I vetmi burim që nxjerr lajme të hapura apo klandestinë është SPAK.

Të tjerët janë gazetarët investigativ që rrinë me orë para SPAK për të kapur ndonjë lajm, apo analistët e banaqeve që tjerrin fjalë. Ky është terri informativ.

Ky është statusi i Nëpunësit Civil.

Kjo është shkolla që po u mësojmë brezave administrativ.

Kjo është administrata publike që ka hapur negociatat për në BE.

Kjo është transparenca që na ofroi Rilindja e vdekur. Sepse hapësira mediatike e Rames është kthyer sot në parodi groteske të modelit të kohës komuniste.