‘Tenderi i Lotit 4 të Unazës së Madhe’ – Vijon seanca në GJKKO. Detaje nga përgjimet e Ballukut me Berberin: Asgjë s’kalonte pa urdhrin e Belës

Në GJKKO vijon seanca për vlerësimin e masës së sigurisë ndaj  Belinda Ballukut dhe dy bashkëpunëtorëve të saj.

Seanca nisi në orën 09:00 për të vijuar deri tani ora 13:00. 
Ndërkohë pas 40 minutave të para Balluku u largua nga GJKKO për tu rikthyer sërish pas disa minutash. Burime brenda sallës së gjyqit konfirmuan se avokatët kanë marrë relativisht një kohë për t’u njohur me aktet.

Ku shkoi Balluku?

Nga kontakte jashtë kësaj gjykate, me persona të afërt me zonjën Balluku, u tha se nuk ka patur një ndërprerje seance por një lëvizje të Ballukut deri në momentin kur të bëhej paraqitja dhe prezantimi i palëve të tjera në proces. Gjë e cila në fakt është e pazakontë të ndodhë, informon gazetari i Syri. TV Fatjon Gjinaj.

Zonja Balluku nuk ka preferuar të shprehet, përveçse prezantimit të paraprak dhe paraqitjes së avokatëve të saj. Përveç Pamela Çirkos, motrës së saj, ajo ka prezantuar si avokat mbrojtës edhe një jurist tjetër,  Ardian Kalia

Përveç debatit mes palëve, do të ketë edhe pyetje-përgjigje. Nuk dihet nëse Balluku preferon t’i përgjigjet personalisht këtyre pyetjeve apo ia delegon përgjigjet avokatëve të saj, kjo mbetet për t’u mësuar, pasi konsiderohet si një seancë marrje në pyetje nga gjykata për akuzat e ngritura nga SPAK dhe përgjigje nga palët në proces, përfshirë Belinda Ballukun dhe dy drejtorët e saj, Gentjan Gjyli dhe Erald Elezi, që janë nën masën e arrestit të shtëpisë.Ndërkohë që Balluku është në masën e pezullimit nga detyra e zëvendëskryeministres dhe ministres së Energjisë dhe Infrastrukturës, si dhe masën tjetër, të ndalimit të daljes jashtë vendit. Dy procedimet penale të hetuara nga prokurori Dritan Prençi dhe që u vlerësuan nga gjyqtari Erjon Çela, me masat e sigurisë kanë të bëjnë me tenderin e tunelit të Llogarasë dhe lotin katër të Unazës së Madhe.

Përgjimet për dosjen e Unazës së Madhe

Gazetari Gjinaj gjatë raportimit ka zbuluar dhe detaje nga dosja e Lotit Katër të Unazës së Madhe.

Referuar materialeve që ka grumbulluar SPAK, janë me dhjetëra komunikime midis Belinda Ballukut dhe Evis Berberit, në atë kohë drejtor i përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar, i arrestuar para disa kohësh për vepra penale të korrupsionit dhe përdorimit të një kompanie, pronar i së cilës, thotë SPAK, ishte vetë pronari faktik i kësaj kompanie, por që e shfrytëzonte përmes miqve të tij për të marrë pjesë në procedura tenderimesh publike.

Në atë kohë zhvillohen komunikime midis Berberit dhe vartësve të tij dhe SPAK e konsideron si një paracaktim i fituesve në garën për ndërtimin e lotit katër të Unazës së kryeqytetit. Më pas gjithçka që i komunikon shtetasja Miranda Shkurti Evis Berberit, ky i fundit në kohë rekord ia dërgon ministres së Infrastrukturës dhe energjisë Belinda Balluku, ku merr edhe aprovimet e saj për çdo lëvizje. Në dosjen hetimore përfshihen edhe biseda që kanë të bëjnë në kontekstin jo vetëm profesional, por edhe personal.

Etiketime që, sikurse kemi raportuar në dosjen fillestare kur u mor e pandehur, vijojnë të përdoren dhe zhargone ndaj edhe përfaqësuesve të kompanisë që kanë shfaqur interes për të marrë pjesë në tenderime, por edhe subjekteve të tjera, duke iu vendosur nofka nga dyshja Berberi-Balluku.

Ndërkohë që, mes të tjerave, evidentohen biseda se si janë kryer veprimet e drejtuesve të Ministrisë së Energjetikës dhe Infrastrukturës, përgjegjëse për ndërtimin e lotit të katërt të Unazës së kryeqytetit.

Komentet që bëjnë mes njëri-tjetrit janë kryesisht aplikacionit Messenger në Signal, ku diskutohen dhe komentohen kompanitë pjesëmarrëse, kompanitë që s’duheshin përfshirë në këto procedura. Madje në një moment sipas të dhënave nga kjo dosje që kemi arritur të mësojmë, duke i referuar burimeve edhe kompani që për të cilat Balluku thoshte se nuk dua t’i shoh në asnjë punë në Republikën e Shqipërisë.

Ndërkohë që Evis Berberi shfaqet tepër i interesuar me fashat orare për lançimin në rrjetin zyrtar të komunikimeve publike të dikasterit që ishte drejtues, procedurave të prokurimeve, shmangia e vëmendjes së medias.

Kemi mësuar se është komentuar mes Ballukut dhe Berberit, ku një media vendase interesohej për zhvillimet e procedurës së tenderit në lotin katër të Unazës dhe se si Balluku e këshillonte Berberin se më e rëndësishme ishte procedura sesa ajo çfarë ishin të interesuara mediat të raportonin dhe të trajtonin.

Edvin Parruca: Domethënë që ta themi shkurt, prokuroria i ka të gjitha këto biseda dhe duket se bisedat kanë qenë shumë të hapura aty në mes. Është e qartë se çfarë ka ndodhur nga bisedat.

Patjetër. Bisedat janë të shumta, të hapura, të lirishme dhe ajo çfarë ka përbërë një disfavor për dyshen Balluku-Berberi është pikërisht mosfshirja apo sekuestrimi i aparatit celular Blackberry të Evis Berberit, ku janë dokumentuar edhe mesazhet, të cilat natyrisht janë krahasuar me prova dhe dokumente të tjera, e lëvizje që kanë kryer drejtues të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë sa i takon fituesve në tendera, procedurave të prokurimit publik dhe në rastin konkret është shumë i ngjashëm me ato çfarë kemi raportuar dhe parë tek procedura e prokurimit për tunelin e Llogarasë.

Gjithashtu, referuar të dhënave që kemi mësuar, e përsëris, nga kontakte dhe informacione të besueshme, që janë njohur me hetimet e SPAK prej disa ditësh, evidentohen biseda që kompromentojnë funksionin e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, në atë kohë ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, në përfshirjen e saj të drejtpërdrejtë në procedura.

Asgjë s’kalonte pa dijeninë e saj dhe pa miratimin ose refuzimin e titullares së Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Një formë e komunikimit mes tyre ishte edhe fotografia, që do të thotë se gjithçka që diskutohej mes tyre ose çdo veprim i anëtarëve të, zyrtarëve të përfshirë në procedurat e tenderimit, që afishonin kompanitë pjesëmarrëse në tendera, ofertat që kishin bërë, bëheshin me foto dhe dërgoheshin nga Miranda Shkurti në adresë të Evis Berberit dhe ky i fundit ia kalonte Belinda Ballukut.