Rasti i “Unazës” në dosjen Balluku: Del në “skenë” biznesmeni, Ilir Shtufi, mesazhet i nxjerrin zbuluar…

ilir shtufi-ervis berberi-belinda balluku

TIRANË- Prokuroria e Posaçme ka zgjeruar hetimet në drejtim të numrit 2 të qeverisë Belinda Balluku. Përveç tenderit për tunelin e Llogarasë, Balluku dhe vartësit e saj janë marrë nën hetim dhe për tenderin e lotit të katërt të Unazës së Madhe në Tiranë. Lidhur me akuzën e dytë, prokuroria ka zbardhur një sërë komunikimesh të rëndësishme për hetimin, ku një tjetër emër del në ‘skenë’, mes personave të përfshir. Bëhet fjalë për biznesmenin Ilir Shtufi që ka në pronësi “Nova Construction – 2012” shpk, një nga kompanitë fituese të tenderit të lotit të 4 të Unazës së Madhe në Tiranë. 
Emri i biznesmenit ka dalë në bisedat me ish-drejtorin e ARRSH-së, Evis Berberi. Bisedat janë nxjerrë nga celulari “Blackberry” i sekuestruar ish-drejtorit të ARRSH-së, nga i cili janë dokumentuar komunikime të drejtpërdrejta ndërmjet Ballukut, Berberit dhe Shtufit, në prag të procedurave të tenderimit për Lotin 4.
Më datë 10 shtator 2021, Balluku i shkruan Berberit: “Hajde tek une ne 11”, vijuar nga udhëzime për t’i bërë të qartë një operatori se “Punet i ke me gimin thuaj jo me mua”.
Menjëherë pas kësaj bisede, Evis Berberi komunikon me Ilir Shtufin, i cili i shkruan: “persh si ke kan.. ilir shufi nova jam. te tak pak mkan then kure mundesh”. Sipas mesazheve, rezulton se takimi është realizuar brenda ditës, pasi pak orë më vonë Berberi i kthehet Ballukut me një mesazh të shkurtër: “E takova ok”.
Në vijim, komunikimet mes tyre përqendrohen te çështje që lidhen me fituesit e mundshëm dhe konkurrencën në tender. Në një prej tyre, Balluku i shkruan: “Ne jemi për konkurrim të mirëqenë dhe të pastër. Pamfleti ka t’i hedhë nga jeta konkurrimin fitues të UK”.
Nga hetimet rezulton se përpara se të mbyllej afati i ofertave, shoqëria “Nova Construction 2021”, e lidhur në komunikim me Shtufin, kishte formalizuar marrëveshje bashkëpunimi me dy kompani të tjera për të marrë pjesë në garë. Ky grup operatorësh ekonomikë u shpall më pas fitues i tenderit për Lotin 4 të Unazës së Re. Këto të dhëna, sipas SPAK, forcojnë dyshimet për ndërhyrje dhe koordinim të paligjshëm në favor të një grupi të caktuar kompanish.

Gjykata e Posaçme caktoi të enjten dy masa sigurie për zëvendëskryeministren Belinda Balluku: “pezullim i ushtrimit të detyrës dhe funksionit” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit” në kuadër të hetimeve për shkelje të barazisë në tenderë. Përveç saj Gjykata e Posaçme miratoi dhe masën e arrestit të shtëpisë për drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli dhe kreun e Korportatës Energjitike Shqiptare Eduard Elezi.
Burime për ZËRI-n, bënë me dije më herët se përveç tenderit për tunelin e Llogarasë, Balluku dhe vartësit e saj janë marrë nën hetim dhe për tenderin e lotit të katërt të Unazës së Madhe në Tiranë. Tenderi është fituar nga një bashkim i tre 3 operatorëve, “Euroteorema Peqin” shpk – “Pe-Vla-Ku” sh.p.k – “Nova Construction 2012” shpk.
GJKKO pranoi kërkesën e SPAK për të pezulluar Ballukun nga ushtrimi i funksioneve publike, për shkak se mund të prishë provat dhe të intimidojë dëshmitarët, në sajë të detyrës që mban. Balluku mund të dalë jashtë vendit vetëm me një leje të veçantë që prek rastet e familjarëve dhe të rënda shëndetësore./ZËRI