VIDEO/ Pezullimi i Bllukut, debate në komison, Kaso: Përgjegjës Rama, të merret i pandehur

Vendimi i GJKKO për pezullimin e zv. kryeministres Belinda Balluku nga detyra, përplasi maxhorancën e opozitën në komisionet parlamentare. Deputeti demokrat Ivi Kaso u përfshi në debate me kryetarin socialist të Komisionit për Nismat Qytetare, Fatmir Xhafaj, ku e cilësoi të pazakontë refuzimin e Ballukut për të dhënë dorëheqjen. Kaso akuzoi si autor të aferës me tunelin e Llogarasë Edi Ramën dhe kërkoi të merret i pandehur, teksa në replikë Xhafaj i kërkoi të mos marrë rolin e prokurorit. Akuza dhe përplasje opozitë–maxhorancë për drejtësinë pati edhe tek Ligjet, ku u diskutua mbi komisionet hetimore.

Nga SYRI TV

Pezullimi i zv. kryeministres Belinda Balluku nga GJKKO dhe bllokimi i pasaportës përfshiu në debate deputetin demokrat Ivi Kaso me kryetarin socialist të Komisionit për Nismat Qytetare, Fatmir Xhafaj. Kaso e cilësoi refuzimin e dorëheqjes së Ballukut si të pazakontë, duke theksuar se kjo vendimmarrje prek edhe Kuvendin.

Kaso tha se një zyrtar i marrë i pandehur duhet të lërë detyrën publike, ndërsa theksoi se përgjegjës kryesor për aferat që hetohet Balluku është kryeministri Edi Rama, që duhet të hetohet nga SPAK. Në replikë, Fatmir Xhafaj tha se deklaratat e Kasos nuk përputhen me rendin e ditës, teksa hodhi akuza ndaj opozitës se po bën rolin e prokurorit.

Debate u bënë gjatë mbledhjes ku u diskutua lidhur me ndryshimet në ligjin për komisionet hetimore, i cili u shqyrtua edhe në Komisionin e Ligjeve ku nuk munguan debatet. Teksa kryetari i komisionit të çështjeve ligjore, Ulsi Manja, kërkoi që të pritej mbërritja e Oerd Bylykbashit për të diskutuar mbi ligjin, deputetja Zegjine Çauşi kërkoi vijimin e mbledhjes, çka solli edhe përplasje mes dy kolegëve socialistë.

Deputetët e opozitës kërkuan ndryshime në disa nene të projektligjit për komisionet hetimore, në mënyrë që opozitës të mos i mohohet e drejta e garantuar edhe nga Gjykata Kushtetuese për hetim parlamentar. Nuk munguan debatet dhe akuzat e opozitës për “drejtësinë e kapur”.

Opozita kundërshton ndryshimet e kërkuara nga maxhoranca sa i takon objektit të ngritjes së komisioneve hetimore dhe thirrjes së dëshmitarëve, teksa më herët ka paralajmëruar që nëse i miraton, do t’i çojë sërish në Kushtetuese.