(VIDEO) “Po më përmbytet shtëpia, merre fëmijën! Ndihmë!”, situatë e rëndë në Rëmenj të Pogradecit

Reshjet e dendura dhe stuhia e fortë që goditi zonën e Pogradecit kanë sjellë situata alarmante për banorët, duke shkaktuar përmbytje të menjëhershme në disa shtëpi. Një ngjarje dramatike është regjistruar në fshatin Rëmenj, ku një baba i ri është detyruar t’i dorëzojë fëmijën e tij të mitur një fqinji, në përpjekje për ta shpëtuar nga uji që po përfshinte banesën.
Sipas banorëve të zonës, burri është parë duke dalë në rrugë me fëmijën në krah, mes reshjeve të forta dhe erës së tejskajshme, duke thirrur për ndihmë. I frikësuar se shtëpia po përmbytej dhe se nuk kishte asnjë mundësi të siguronte fëmijën brenda, ai iu drejtua fqinjëve:
“Po më përmbytet shtëpia, merre fëmijën! Ndihmë!”
Fqinji ka ndërhyrë menjëherë duke marrë të miturin në duar për ta çuar në një ambient të sigurt, ndërsa babai është kthyer drejt banesës në përpjekje për të shpëtuar çfarë të mundte.
Banorët e Rëmenjit raportojnë se situata është përkeqësuar orët e fundit, ndërsa ekipet e emergjencave lokale ende nuk kanë mbërritur në të gjitha zonat e prekura. Disa familje kanë nisur evakuimin e pavarur, teksa uji ka depërtuar brenda oborreve dhe ambienteve të brendshme të shtëpive.
Autoritetet lokale bëjnë apel për kujdes maksimal dhe raportim të menjëhershëm të çdo rreziku. Ndërkohë, banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente, pasi reshjet pritet të vijojnë edhe gjatë mbrëmjes.