belinda balluku
TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur dy masa të reja në drejtim të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, atë të pezullimit nga detyra, si dhe ndalimin për të dalë jashtë vendit. Këto masa të reja ndaj numrit 2 të qeverisë, janë ndërmarrë me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, pasi Balluku si person nën hetim mund të prishte provat, apo të intimidonte dëshmitarët. Belinda Balluku u mor e pandehur nga Prokuroria e Posaçme në 31 Tetor, për veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera, në lidhje me ndërtimin e tunelit të Llogarasë. Pas rreth tre javësh ku qëndroi në heshtje dhe vijoi aktivitetin e saj politik, Belinda Balluku u rikthye dje për herë të parë në Kuvend, ku bëri dhe mbrojtjen e saj në lidhje me akuzat, ndërsa gjatë fjalës së saj opozita vendosi që të braktiste sallën.
Nga salla e Kuvendit, Belinda Balluku tha se nuk ka asnjë koment për çështjen në hetim dhe se nuk do të prononcohet derisa e vërteta të dalë në dritë.
“Më duhet të them disa fjalë jo për baltën dhe aludimet, por për detyrimin që kam ndaj kujtdo që beson te puna. Nuk do dëgjoni nga unë akuza për drejtësinë e re dhe kur prekem personalisht. Besoj thellësisht që kjo drejtësi e re produkt i PS dhe Ramës, dhe është duke kryer misionin nga i cili u reformua me pikat e dobëta dhe të forta. Nuk do më dëgjoni të merrem me prokurorë dhe gjyqtar, nuk do prononcohem për çështjen pasi kanë rrugën e tyre dhe do e ndjek derisa e vërteta të marr formën e vet. Ne mbështesim reformën edhe kur prekemi personalisht. PS është një formacion politik serioz i vetmi në republikë ku fjala e secilit degjohet dhe ka peshë. Ndaj në respekt të misionit të saj nuk kam asnjë koment”, u shpreh dje Balluku.
Ndërkohë që kryeministri Edi Rama akuzoi opozitën se shifra për abuzimin me tenderin në tunelin e Llogarasë është fiktive, njësoj siç sipas tij ka ndodhur më herët dhe me aferën e inceneratorëve. Tashmë pas masës së dhënë nga Gjykata e Posaçme, mbetet për t’u parë nëse kryeministri do të zgjedhë persona të tjerë në postin e zëvendësit të tij, si dhe në krye të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjitikës, një prej portofoleve më të rëndësishme në qeveri.
Sipas një dosje penale të shpalosur nga SPAK, Belinda Balluku nën cilësinë e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, ka ndjekur fazën e tenderit për Tunelin e Llogarasë, që nga faza përgatitore, deri në momentin e lidhjes se kontratës me operatorin ekonomik fitues.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, Balluku e kishte të përcaktuar fituesin e tenderit për Tunelin e Llogarasë, bashkimi i Operatorëve Ekonomikë (BOE) “INTEKAR YAPI TURIZM ELEKTRIK” dhe “ASL INSAAT TAAHHUT”. Bashkimi i kompanive turke u shpall fitues i tenderit me ofertë rreth 170 milionë euro.
Një tender fitues me këtë vlerë, ndonëse kishte oferta të tjera shumë herë më vogla, sipas SPAK, ka ndodhur në sajë “të veprimeve të kundërligjshme të Belinda Balluku, nën cilësinë e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, në bashkëpunim me anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, shtetasit Evis Berberi, Gentian Gjyli, Erald Elezi, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica, veprime këto, në kundërshtim me ligjin nr. 162/2020 “Për Prokurimin Publik” dhe VKM nr. 285, datë 19.05.2021 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”.
E gjithë skema është zbuluar nga komunikimet mes Ballukut dhe vartësit të saj, Evis Berberi, përmes aplikacionit Signal, që nuk mund të përgjohet. Por Berberi rezulton t’i kishte ruajtur sms-të që kishte këmbyer me eproren. Sipas SPAK, komunikimet mes tyre kanë vërtetuar se që prej tenderit të parë e deri në firmosjen e kontratës me turqit, Balluku, kishte ‘mbikëqyrur’ çdo hap, deri në shpalljen e tenderit fitues. Berberi ka luajtuar po ashtu një rol kyç, pasi ishte pjesë e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, për tenderin e parë, që më pas u anulua, e deri kur më pas e emëroi në krye të ARSH-së.
Ku nis historia? Që me hapjen me hapjen e tenderit të parë, në dhjetor të vitit 2020. Nga një fond limit prej 190 milionë eurosh, kompania “Gjoka Construction” kishte bërë një ofertë prej 140 milionë. Megjithatë, kjo oferta do të shpallej e papërshtatshme sipas ministres dhe zv.kryeministres, Belinda Balluku. Më pas, kjo e fundit, ka urdhëruar vartësin që të anulojë direkt tenderin.
Bisedë të 18 marsit 2021
Belinda Balluku: Mendoj ta anulojmë, skualifikoji të gjithë.
Evis Berberi: Jam mëse dakord.
Belinda Balluku: Më jep afatet nëse e shpallim nesër….Mbylleni sot me urgjencë.
Evis Berberi: E mbyllëm, sot e ke të mbaruar.
Më pas, Balluku shton: “Kam atë ndjesinë time që nuk duhet”, dhe Berberi vijon: “E ke të fortë ndjesinë. Kur e do?”.
Përse e akuzon SPAK Ballukun? Tenderi i Tunelit të Llogarasë “patatja” e nxehtë e hetimit
Pas kësaj lëvizjeje, qëllimi ishte hapja e tenderit të dytë që u rihap më 22 qershor 2021, ku në lojë futet kompania turke INTERCAR, e cila nuk kishte aplikuar tenderin e parë. Megjithatë, nga komikimet e zbuluara, Balluku kishte kontaktuar me kompaninë në fjalë, e cila më 1 tetor shpallet fituese nga bashkimi me ASL, me ofertën 170 milionë euro, 30 milionë euro më shumë se oferta që kishte paraqitur shoqëria “Gjoka Konstruksion” sh.a. në procedurën e parë.
SPAK nënvizon në dosje se bashkimi i dy kompanive u shpall fitues në kundërshtim me kriteret e vendosura në dokumentet standarte të tenderit. Bëhet fjalë për kritere, si: mungesa e përvojës në ndërtim urash, mungesa e dokumentit për urdhrat përmbarimorë, dokumentet e papërkthyera dhe të pacertifikuara, mungesë dokumentesh për kontratat e punonjësve, dhe të asaj të makinerive dhe pajisjeve./ZËRI
