foto ilustruese
RUSI-Zyrtarët amerikanë dhe rusë kanë hartuar në heshtje një plan të ri për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, i cili do t’i kërkonte Kievit të dorëzonte territorin dhe të kufizonte ndjeshëm madhësinë e ushtrisë së saj. The Guradian shkruan se draft-plani, i cili thuhet se është hartuar nga i dërguari i Donald Trump, Steve Witkoff, dhe këshilltari i Kremlinit, Kirill Dmitriev, do të imponojë masa të forta mbi Ukrainën që do t’i jepnin Rusisë kontroll të paprecedentë mbi sovranitetin ushtarak dhe politik të vendit.
Financial Times dhe Reuters raportuan se propozimi do të kërkonte që Ukraina të lëshonte territorin që kontrollon në lindje të vendit dhe të përgjysmonte madhësinë e ushtrisë së saj, kushte që presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, në të kaluarën i ka quajtur të papranueshme. Kushte të tjera përfshijnë kufizimin e ndihmës ushtarake amerikane dhe kategoritë e armatimeve të përdorura nga ushtria ukrainase.
Raportet e publikuara erdhën ndërsa Rusia nisi një sulm masiv në Ukrainën perëndimore duke synuar disa ndërtesa shumëkatëshe në qytetin e Ternopilit, si dhe objektet energjetike në Ivano-Frankivsk dhe Lviv. Rusia është e angazhuar në një fushatë sistematike për të shkatërruar infrastrukturën civile të energjisë së Ukrainës përpara dimrit.
Sinjalet për një nismë të re të udhëhequr nga SHBA-të për përfundimin e luftës sollën rritjen më të madhe në muajt e fundit të çmimeve të bono-ve qeveritare ukrainase. Që nga takimi në Stamboll në korrik, nuk janë zhvilluar bisedime ballë për ballë midis Kievit dhe Moskës, dhe forcat ruse kanë vazhduar luftën pothuajse katërvjeçare, duke vrarë 25 persona në sulme gjatë natës.
Nga ana tjetër presidenti rus Vladimir Putin ka kërkuar prej kohësh që Kievi të heqë dorë nga planet për t’iu bashkuar aleancës ushtarake të udhëhequr nga SHBA-NATO dhe të tërheqë trupat nga katër provinca që Moska i pretendon si pjesë të Rusisë./ZËRI
