Vetingu, Kolegji i Apelimit shkarkon prokurorin e Lezhës Bardhyl Shehu

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi sot shkarkimin  përfundimtar të prokurorit të Lezhës Bardhyl Shehu, duke lënë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që e pati shkarkuar për deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë dhe përpjekje për ta fshehur atë.
“Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Albana Shtylla kryesuese, Mimoza Tasi relatore, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë, vendosi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 694, datë 10.08.2023, që i përket subjektit të rivlerësimit Bardhyl Shehu”, thuhet në njoftimin e KPA-së.
Bardhyl Shehu e ka nisur karrierën në vitin 1985 dhe ka punuar për gati dy dekada si oficer i Policisë Gjyqësore. Ai u emërua prokuror në vitin 2005 dhe punoi fillimisht në Prokurorinë e Kurbinit e më pas në Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë.
Procesi i rivlerësimit kalimtar për prokurorin Shehu u krye nga trupa e KPK e kryesuar nga Pamela Qirko, me relatore Xhensila Pine dhe anëtare Alma Faskaj.
Gjatë seancës dëgjimore Komisioni vuri në dukje se kishte gjetur gjatë hetimit pamundësi të prokurorit Bardhyl Shehu dhe bashkëshortes së tij për të krijuar pasuritë në vlera të mëdha që zotërojnë. KPK po ashtu ngriti dyshime për përfshirje të këtij subjekti në transaksione të paprovuara ligjërisht si dhe në deklarime të pasakta me qëllim justifikimin e burimeve të tyre.
Shehu që nuk u paraqit dhe as u përfaqësua me avokat në seancë, ndërsa një kërkesë e tij për shtyrje me pretendimin se ishte sëmurë nuk u konsiderua nga KPK që vijoi relatimin e rezultateteve të hetimit administrativ..
gijotina.com/