DITA 2! Shqipëria ‘e paralizuar’ nga moti i keq, dhjetëra banesa të përmbytura, ura dhe rrugë të dëmtuara

ura e shkatëruar

TIRANË-Reshjet e shiut vijojnë të risin problematikat në vend, me qindra banesa nën ujë, ura të shkatëruara dhe mungesë energjie elektrike në shumicën e zonave në Shqipëri. Shembja e urave, rrëshqitjet e dherave dhe segmentet e dëmtuara rrugore kanë izoluar disa fshatra, ndërsa ekipet e emergjencave civile janë angazhuar në terren që prej mëngjesit për të vlerësuar situatën.
Sipas të dhënave paraprake, rreth 10 fshatra janë aktualisht të izoluara për shkak të dëmtimeve të infrastrukturës rrugore dhe shembjes së urave. Situata mbetet kritike edhe për ujësjellësin e qytetit, pasi përroi i Tarazhit vazhdon të gërryejë zonën ku kalojnë tubacionet kryesore.
Ndërkohë rruga që lidh fshatrat Kakodhiq, Lefterhor dhe Varfaj me Delvinën dhe Sarandën, është shembur duke izoluar kështu totalisht banorët e këtyre 3 fshatrave. Një pjesë e shembur tek ura ka bërë që të thellohet shumë rruga duke e bërë atë të pakalueshme.
Problemet me energjinë dhe rrugët vijojnë sidomos në Lezhë e Shkodër.  Prurjet e lumit Vjosë po rriten me shpejtësi dhe rrezikojnë të sjellin përmbytje në disa fshatra të bashkisë Fier me shtrirje gjatë rrjedhës së lumit. Përmbytjet e tokave bujqësore vijojnë në disa zona, kryesisht në Kurbin dhe Lezhë, me sipërfaqe të përmbytur deri në 300 hektarë, por pa dëme të mëdha në kultura.
Nga ana tjetër Saranda ka mbetur pa furnizim me ujë të pijshëm pas turbullimit të burimeve të Navaricës dhe puseve të fushës së Vrionit, të shkaktuara nga reshjet e shumta të ditëve të fundit./ZËRI