Deputeti i PD-së në qarkun e Kurbinit, Kastriot Piroli, raporton situatën kritike në terren nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut në disa zona të Bashkisë Kurbin.
Prej mëngjesit të sotëm, rrugët dhe banesat në Mamurras, Laç, Zheje dhe Gjorm kanë përjetuar dëme të konsiderueshme për shkak të reshjeve të dendura dhe ujërave të grumbulluar.
Deputeti Piroli thekson se situata është përkeqësuar nga mosfunksionimi i kanaleve dhe pastrimi i pamjaftueshëm i rezervuarëve, duke bërë që uji të dalë në rrugë dhe të bllokojë qarkullimin.
Ai raporton se disa rrugë lidhëse, përfshirë aksin nga Fushë-Mamurrasi deri te nënkalimi i qytetit, janë të bllokuara nga zhavori dhe uji ka arritur në disa vende deri në dy metra lartësi.
Përveç banesave dhe rrugëve të bllokuara, përmbytje janë regjistruar edhe në zona me biznese dhe fusha bujqësore, duke shkaktuar dëme materiale dhe pengesa serioze për komunitetin lokal.
Deputeti thekson gjithashtu se kanalet dhe strukturat e menaxhimit të ujit nuk kanë funksionuar si duhet, duke nxjerrë në pah papërgjegjshmërinë në administrimin e pastrimit të territorit dhe rezervuarëve. Ai paralajmëron se situata mund të jetë më e rëndë nëse nuk ndërhyhet menjëherë për të parandaluar dëme të mëtejshme.
Fjala e plotë e deputetit:
“Në radhën e parë, faleminderit të gjithë gazetarëve që po i shohim në terren, si këtu në Mamurras edhe në Laç.
Unë, që në orët e para të mëngjesit, gjendem në terren, nga Ura e Drojes deri te Lumi i Matit, deri te nënkalimi i Fushë-Mamurrasit, ku është bllokuar edhe zona që lidh Fushë-Mamurrasin me Mamurrasin.
Për të ardhur nga zona e lagjes Demokracio, rruga është e bllokuar nga zhavori, i cili ka dalë deri në asfalt.
Pjesa e Zhejes dhe Gjormit, ku rruga kalon në Fushë-Gjormë, është totalisht e mbyllur; uji nuk funksionon dhe ka arritur mbi 2 metra.
Si në Gjorm ashtu edhe në Zheje ka krijuar përmbytje dhe rrugët janë bërë të pakalueshme, si në fshatin Zheje edhe në Gjorm.
Pa dashur të etiketoj bashkinë apo persona të tjerë që janë përgjegjës, duhet theksuar se kanalet në të gjithë territorin e Bashkisë Kurbin janë të bllokuara.
Në vendet ku ujërat kalojnë poshtë urave, ato janë të bllokuara deri në gjysmë metri lartësi, duke treguar se strukturat e Bashkisë Kurbin nuk kanë funksionuar siç duhet në pastrimin e gjithë territorit, për të cilin paguhen disa persona në bashkëpunim me Bordin e Kullimit.
Nëse kjo përmbytje në Zheje dhe Gjorm erdhi si fenomen i mosmenaxhimit të mirë të rezervuarit që ndodhet në Zheje, atëherë do ta denoncojmë për papërgjegjësinë që është treguar në menaxhimin e këtij rezervuari”.
