Opozita ka nisur serinë e protestave kombëtare, duke e cilësuar këtë si një formë të re të komunikimit me qytetarët, me objektiv kryesor rikthimin e fjalës së lirë dhe mbrojtjen e interesit publik. Gjatë fjalës së tij, deputeti demokrat, BardhSpahia, theksoi se protesta synon të kthejë zërin e munguar në institucionet demokratike, veçanërisht në parlament.
Sipas tij, mazhoranca aktuale po përdor forcën e numrave për t’i hequr opozitës të drejtën e fjalës në çdo seancë. “Është një protestë e cila synon të rikthejë edhe njëherë fjalën e lirë, të munguar tashmë në institucione si parlamenti,” deklaroi ai, duke shtuar se qëllimi është rikthimi i parlamentarizmit tek qytetarët.
Spahia akuzoi qeverinë se po tenton “në mënyrë djallëzore” të shtypë dhe të mbulojë problematikat e pafundme të vendit, duke eliminuar debatet, interpelancat me ministra dhe duke hedhur poshtë çdo iniciativë të opozitës, siç është ngritja e komisioneve hetimore.
Mesazhi kryesor i protestës, siç u shpreh Spahia, është kërkesa që mazhoranca dhe qeveria të japin shpjegime për situatën e vështirë me të cilën përballet Shqipëria, duke vënë në pah atë që ai e quajti “korrupsion galopant”.
Në këtë kontekst, ai solli në vëmendje aferën korruptive të tunelit të Llogarasë, duke pretenduar se në të janë të përfshirë drejtpërdrejt Kryeministri Edi Rama dhe Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku. “Janë paratë e taksapaguesve shqiptarë, të paktën 50 milionë, flitet edhe për më shumë, deri në 90 milionë euro të vjedhura nga xhepat e qytetarëve,” theksoi Spahia.
Në përfundim, ai u shpreh se opozita nuk ka rrugë tjetër përveçse t’i drejtohet rrugës dhe diskutimit të drejtpërdrejtë me qytetarët për të mbrojtur interesin publik që, sipas tij, është “jashtëzakonisht i sulmuar”
Spahia:
Ne e kemi deklaruar në fakt që në organizimin, në fillimin e deklarimit të kësaj forme të re të afrimit me qytetarët shqiptarë. Është një protestë e cila synon të rikthejë edhe njëherë fjalën e lirë, të munguar tashmë për hir të së vërtetës në institucionet e fjalës së lirë, siç është parlamenti, ku mazhoranca me forcën e numrave dhe të kartonave, çdo seancë i ka hequr të drejtën e fjalës opozitës shqiptare.
Dhe nëpërmjet opozitës, njëkohësisht edhe të qytetarëve, të cilët opozita i përfaqëson. Në këtë kontekst, mendoj se është një rëndësi e të veçantë fillimi i këtyre protestave, për ta rikthyer edhe njëherë parlamentarizmin tek qytetarët. Problematikat janë të pafundme, të cilat kërkojnë vëmendje dhe të cilat synon në mënyrë shumë djallëzore mazhoranca aktuale t’i shtyp, t’i mbulojë nëpërmjet eleminimit të debateve në parlament apo të interpelancave me ministra dhe përfaqësuesit e qeverisë, apo edhe duke hedhur poshtë çdo iniciativë të opozitës shqiptare, siç është ngritja e komisioneve hetimore, për shembull, që është një e drejtë kushtetuese e deputetëve, të opozitës dhe jo vetëm.
E thashë më përpara, objektivi kryesor është mbrojtja e interesit qytetar dhe publik, i cili është jashtëzakonisht i sulmuar nga kjo mazhorancë dhe kjo qeveri. Nuk kemi rrugë tjetër përveçse t’i drejtohemi rrugës dhe kontaktit dhe diskutimit me qytetarëve.Mesazhi kryesor e thashë dhe pak më përpara, është rikthimi i fjalës së lirë në parlamentin e Shqipërisë dhe jo vetëm. Duhet, kjo mazhorancë dhe kjo qeveri duhet t’i japin shpjegime për problematikat jashtëzakonshme me të cilat përballet sot Shqipëria. Korrupsioni galopant.
Dhe këtu sjell në vëmendje aferat korruptive të njëpasnjëshme, madhore, siç ishte ajo e fundit e aferës korruptive e tunelit të Llogarasë, e cila sheh të përfshirë kryeministrin Rama dhe zëvendës kryeministren Balluku. Janë paratë e taksapaguesve shqiptarë, të paktën 50 milionë, flitet edhe për më shumë, deri në 90 milionë euro të vjedhura nga xhepat e qytetarëve.
