Shqipëria shënjoi këtë të hënë një tjetër hap historik në rrugën drejt BE. Sot në Bruksel u festua me tortë hapja e grupkapitullit të fundit të negociatave, ”Bujqësia dhe Kohezioni”. Komisionerja Marta Kos, e cila bashkë me ministren e jashtme daneze, Marie Bjerre vlerësuan punën e bërë nga vendi ynë dhe hapjen e negociatave për të gjithë kapitujt në një kohë rekord, brenda 1 viti.
Sakaq kryeministri Edi Rama ka ndarë pamje nga ky moment kaq i rëndësishëm. Më herët gjatë ditës kreu i qeverisë tha integrimi në BE është një proces që shkon përtej ngjyrave partiake. Ndërsa premtoi se Shqipëria do të ecë me të njëjtin ritëm për të punuar për mbylljen e kapitujve deri në vitin 2027, Rama theksoi se në Bruksel nuk përfaqësojnë një parti politike, por të gjithë kombin shqiptar.
“Do bëjmë gjithçka kemi në dorë për të ecur përpara me të njëjtin intensitet, disiplinë dhe punë të madhe për të dhënë rezultate që ky proces që po ndërtojmë gur pas guri të mos ndalet. Sot Shqipëria del me krenari nga kjo fazë e parë dhe madje me ndjenjë edhe më të madhe përgjegjësie. Ne nuk përfaqësojmë këtu parti politike, por një komb të tërë që mbështet si askush tjetër BE dhe anëtarësimin në BE më shumë sesa 90% e qytetarëve tanë”, tha Rama.
