FOTO ILUSTRUESE
TIRANË- Pesë kryebashkiakët socialist të dalë nga zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit u certifikuan nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi shpalli zyrtarisht fitues kryetarët e bashkive të Vlorës, Beratit, Cërrikut, Matit dhe Tepelenës. Brunilda Mersini, Altin Bojini, Gramos Sako, Florenc Doka dhe Ervin Ceca, do të jenë në postin e kryebashkiakut vetëm një vit e gjysmë, deri në mbajtjen e zgjedhjeve të radhës lokale, të planifikuara për pranverën e vitit 2027.
VLORË
Vlora ishte vendi me pjesëmarrjen më të ulët në zgjedhjet e pjesshme lokale me vetëm 12.5% të votuesve. Gjithsesi fitoren e thellë e siguroi kandidatja e Partisë Socialiste, Brunilda Mersini me 78.88% të votave (15 mijë e 672 vota). Mersini ndiqet nga kandidati i pavarur Dionis Sota me 11.68% (2 mijë e 333 vota) dhe Gjergji Nika me 9.88% (1 mijë e 975 vota).
Në këtë bashki, Partia Demokratike shënon një rënie prej 13.52% krahasuar me zgjedhjet e 11 majit, ndërsa PS regjistron një rritje prej 19%.
MAT
Ndryshe nga Vlora, Mati ishte bashkia me pjesëmarrjen më të lartë me 39.36% votues. Altin Bojini i Partisë Socialiste ka fituar me 66.54% (7 mijë e 425 vota), ndërsa kandidati i pavarur i mbështetur nga PD, Eduart Brahilika, ka marrë 28.54% (3 mijë e 184 vota). Kandidatja e pavarur Suzana Pasha u rendit e treta me 4.92% (549 vota).
TEPELENA
Tepelena ishe e dyta pas Matit sa i përket pjesëmarrjes së votuesve me 34.63%. Kandidati socialist Gramos Sako fitoi me 77.85% (3 mijë e 261 vota). Rivali i tij, i mbështetur nga opozita, Gabriel Guma, mori 928 vota. Në Tepelenë u testua për herë të parë edhe numërimi paralel i votave me Inteligjencë Artificiale.
CËRRIK
Edhe në Cërrik bashkia do të kryesohet nga PS-së. Kandidati Florenc Doka fitoi me 66.22% (6 mijë e 201 vota), i ndjekur nga kandidati i mbështetur nga PD, Amarildo Hoxha, me 1 mijë e 888 vota, dhe Eligert Himën nga “Shqipëria Bëhet” me 1 mijë e 275 vota. Pjesëmarrja e votuesve në Cërrik ishte 25%.
BERAT
Partia Socialiste siguroi një fitore të thellë në Berat, ku kandidati Ervin Ceca siguroi 13 mijë e 050 vota ose 83.35%, 11 mijë vota më shumë se Pavlo Shkarpa, kandidati i mbështetur nga PD, i cili mori vetëm 2 mijë e 607 vota (16.65%).
