SYRI TV/ Buxheti 2026, barra mbi konsumatorët, barra fiskale te punonjësit e konsumatorët

SYRI TV

Buxheti i vitit 2026 synon të rrisë të ardhurat, por barrën kryesore fiskale e mbajnë punonjësit dhe konsumatorët, ndërsa bizneset më pak. Rritja e buxhetit parashikohet të bazohet mbi tatimin mbi vlerën e shtuar, tatimin mbi të ardhurat personale dhe akcizat.

Nga buxheti i vitit 2026 më i fituari del shteti, pasi barrën më të madhe e mbartin punonjësit dhe konsumatorët, ndërsa bizneset e mëdha do të mbajnë vetëm një pjesë të vogël të kësaj shtese.

Tatimi mbi të ardhurat personale (TAP) arrin 88.3 miliardë lekë, me rritje 4.9%, falë shtimit të numrit të punonjësve dhe rritjes së pagave. Edhe në këtë rast, ndikimi kryesor vjen nga individët e punësuar, jo nga bizneset. Tatimi mbi fitimin pritet të rritet në 7.8%.

Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) mbetet burimi më i rëndësishëm i të ardhurave. Për projektbuxhetin e vitit 2026, TVSH-ja neto pritet të arrijë në 242.5 miliardë lekë, me rritje 7% krahasuar me vitin 2025. Ky zë mbulohet kryesisht nga konsumi i brendshëm, ndaj çdo rritje çmimesh apo zgjerim i shpenzimeve familjare përkthehet menjëherë në më shumë të ardhura për shtetin.

Rritja e inflacionit (3%) dhe rritja ekonomike (4%) përllogariten të shtojnë mbi 20 miliardë lekë në arkëtime. Edhe në këtë kategori, konsumatorët janë kontribuuesit kryesorë të rritjes së të ardhurave, përmes taksave në çmimet e mallrave dhe shërbimeve.

Akcizat, që përfshijnë karburantet, cigaret dhe pijet, do të sjellin 74.7 miliardë lekë, rreth 3.7 miliardë më shumë se një vit më parë. Rritja vjen nga zbatimi i kalendarit të ri për duhanin, indeksimi i periodik i niveleve të akcizës dhe efektet e rritjes së konsumit të karburanteve. Këtu, barrën e shtuar fiskale e mbartin sërish konsumatorët, përmes çmimeve më të larta të produkteve bazë të shportës.