Vrasja e Gentian Bejtjas! Prokuroria e Tiranës kërkon 23 vite burg për Ilir Beqaraj: Largoi qitësit nga vendi i ngjarjes

Gentjan Bejtja, Edison Haxhiu dhe Ilir Beqaraj

TIRANË-Prokuroria e Tiranës kërkon 23 vite burg për një prej autorëve të vrasjes së Gentian Bejtjas. Bëhet fjalë për Ilir Beqaraj, i cili ka ndihmuar vrasësit të largoheshin nga vendi i ngjarjes, si dhe kë vëzhguar disa herë Bejtjan pranë banesës. Beqaraj, i cili ka përdorur dhe mbiemrat Brahimi dhe Mançellari, është marrë i pandehur për veprat penale “Vrasje me paramendim” kryer në bashkëpunim, “Mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve” dhe “Falsifikim i letërnjoftimeve, pasaportave”.
Ilir Beqaraj është arrestuar që në muajin Mars të vitit 2024, i cili u vu në pranga bashkë me Edison Haxhiun, pas analizimit të pamjeve filmike nga grupi hetimor.
Nga kryerja e veprimeve hetimore është vërtetuar se autorët janë larguar me një automjet tip “Volkswagen Golf” me ngjyrë të zezë, pa targë në pjesën e pasme, duke ndjekur itinerarin nga vendi i djegies së automjetit në drejtim të rrugës kryesore Thumanë-Fushë Krujë, kanë devijuar djathtas në mbikalimin e Fushë-Krujës dhe janë larguar në drejtim të fshatit Bubq, Krujë. Nga analiza e informacioneve të marra nga inteligjenca policore si dhe këqyrja dhe marrja e kamerave të sigurisë, është bërë i mundur identifikimi i automjetit tip “Volkswagen Golf” me targë AB960GG, në pronësi të shtetasit Edison Haxhiu, 30 vjeç, lindur në Milot, Kurbin dhe banues në Tiranë. Po kështu, ka rezultuar se ky automjet është përdorur edhe nga shtetasi Ilir Beqaraj alias Ilir Brahimi alias Ilir Mançellari.
NJOFTIMI:
Vrau shtetasin G.B në oborrin e banesës së tij, Prokuroria Tiranë kërkon 23 vite burg për shtetasin I.B.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë kërkon shpalljen fajtor të shtetasit, I. B alias B alias M për veprat penale ‘Vrasje me paramendim” të kryer në bashkëpunim, ‘Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” , në formën e mbajtjes në banesë dhe “Falsifikimi apo përdorimi i letërnjoftimeve, pasaportave apo i vizave të falsifikuara” , parashikuar nga nenet 78/1 e 25,  278/4 dhe 189/1  i i Kodit Penal.
Nga hetimet e procedimit penal nr.1944 të vitit 2024, rezultoi se më datë 15.03.2024, persona të armatosur pasi kanë kaluar rrethimin e jashtëm të banesës së shtetasit G.B, kanë hyrë brenda oborrit dhe kanë qëlluar disa herë me armë zjarri në drejtim të shtetasit G.B, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri ka gjetur vdekjen e mjenjëhershme. Pak minuta pas ngjarjes në rrugën dytësore në fshatin Hasan, Fushë Krujë, është konstatuar duke u djegur një automjet tip Land Rover, që është përdoruar nga autorët në vendngjarje.
Nga provat e administruara rezulton se i pandehuri I.B në kohë të ndryshme përpara kësaj ngjarje me mjetin e tij ka qenë në afërsi të vendit ku ndodhet banesa e shtetasit G.B, kjo gjë provohet nga kqyrja e GPS të automjetit të cilin e ka të marrë me qera.
Nga akti i ekspertimit biologjik të AND-së, është konluduar se: automjeti i markës Volksagen Golf me ngjyre të zezë, në pronësi të shtetasit E.H (arrestuar në datë 19.03.2024), që është përdorur nga autorët për t’u larguar menjeherë pas djegies së automjeti markës “Land Rover”, në fshatin Hasan, Fushë Krujë, dhe në të është përftuar profil gjenetik i shtetasëve I.B, alias I.B, alias I.M (arrestuar ne datë 19.03.2024) dhe F.P, alias F.Si, alis F,M, të cilët dyshohen se kanë pasur rol në ekzekutimin/vrasjen e shtetasit G.B, me datë 15.03.2024, në fshatin Larush, Fushë Krujë.  
Pas kryerjes së veprime hetimore është urdhëruar rregjistrimi i emrave të  personave nën hetim në lidhje me procedimin penal nr 1944 të vitit 2024, ku për shtetasin I.B më datë 28.02.2025 është bërë veçimi i procedimit penal nr.1944/2 e vitit 2024 i cili referuar provave të grumbulluara gjatë hetimit të këtij procedimi penal, mekanizmi i ngjarjes është i atillë në të cilin i pandehuri I.B rezulton se ka bashkëpunuar me personat e tjerë duke luajtur rolin e ndihmësit dhe këtë vepër penale e ka kryer në bashkëpunim.
Për këtë arsye Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm kërkoi:
Deklarimin fajtor të të pandehurit I.B (alias Brahimi, alias Mançellari) për veprën penale të “Vrasjes me paramendim” të kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 78/1 e 25  i Kodit Penal de në bazë të kesaj dispozite, denimin e tij me 21(njëzet e një) vite burgim.
Deklarimin fajtor të të pandehurit I.B (alias Brahimi, alias Mançellari) për veprën penale të “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, në formën e mbajtjes në banesë parashikuar nga neni 278/4  i Kodit Penal dhe ne baze te kesaj dispozite, dënimin e tij me 2(dy) vite burgim.
Deklarimin fajtor të të pandehurit I.B. për veprën penale të Fallsifikimi apo përdorimi i letërnjoftimeve, pasaportave apo i vizave të fallsifikuara, parashikuar nga neni 189/1 i Kodit Penal dhe ne baze te kesaj dispozite, denimin e tij me 1(një) vit burgim.
Në aplikim të nenit 55 të K.Penal kërkohet bashkimi i dënimeve të mësipërme në një dënim të vetëm duke e dënuar përfundimisht të pandehurin I.B me 23(njëzet e tre) vite burgim.
Vrasja e Gentian Bejtjas
Gentjan Bejtja u ekzekutua pasditen e 15 marsit brenda oborrit të banesës së Larushk. Autorët dyshohen të kenë qenë katër, tre kanë marrë pjesë në sulm ndërsa tjetri i ka pritur në makinë. Mbi Bejtjan janë qëlluar 50 plumba, 30 prej të cilëve kanë rezultuar fatal dhe e kanë prekur në fytyrë e trup duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Bejtja dyshohet se kishte dijeni edhe për shumë krime të tjera që kishin ndodhur në harkun kohor të 10 viteve të fundit, ku në mos ishte drejtpërdrejt i implikuar, të paktën kishte dijeni apo besohej se kishte tradhtuar, ata që deri dje u shërbente. Ai është dyshuar si i përfshirë në disa atentate, si personi që ka nxjerrë në pritë viktimat, informator apo ndihmës i ekzekutorëve./ZËRI