Një hetim nga oficerët e Policisë në Greqi është duke u zhvilluar në dyqanet e biznesmenit që kishte punësuar 22-vjeçarin, i cili është arrestuar për vrasjen e pronarit vendas të kampingut dhe kujdestarit të tij shqiptar në Finikounda, më 5 tetor të këtij viti.
Hetimi po kryhet me urdhër të hetuesit, që po merret me çështjen, me oficerët e vrasjeve që kontrollojnë lokalet për të identifikuar prova apo mikrogjurmë me rëndësi, që mund të hedhin më shumë dritë mbi krimin.
Kujtohet se biznesmeni është personi i parë që nipi i viktimës kontaktoi menjëherë pas vrasjes së xhaxhait të tij.
Nipi arriti t’i shpëtonte plumbave, ndërsa ishte prezent në skenën e krimit, kurse dy të tjerët nuk ia dolën.
Biznesmeni punësoi edhe 22-vjeçarin, i cili është arrestuar në lidhje me rastin. Bashkë me autorin u kap edhe bashkëpunëtori i tij, një greko-britanik, po 22-vjeçar. Të dy të rinjtë fajësojnë njëri-tjetrin për vrasjen, teksa hetimet nuk janë mbyllur ende dhe po marrin një drejtim të ri.
Familjarët dhe veçanërisht mbesa e pronarit grek, ka hedhur dyshime të forta se krimi mund të ketë lidhje edhe me pasurinë e xhaxhait të saj, i cili ia kishte lënë një pjesë të madhe pikërisht punëtorit shqiptar.
Nuk dihet ende lidhja e biznesmenit të dyshuar të rrjetit të dyqaneve në krimin e rëndë, nëse ai mund ta ketë nxitur 22-vjeçarin në krim.
