Izraeli njofton eliminimin e një anëtari të Hezbollahut në jug të Libanit

Ushtria izraelite njoftoi ditën e djeshme se eliminoi një “terrorist të Hezbollahut”, siç e cilësoi, në jug të Libanit.

“Mbrëmjen e së dielës (16 nëntor), forcat tona të armatosura, nën komandën e Divizionit 91 dhe me mbështetjen e Forcave Ajrore, kryen një sulm që çoi në neutralizimin e terroristit Mohamad Ali Sweih, anëtar i organizatës terroriste Hezbollah, në zonën Al-Mansouri të Libanit jugor”, thuhet në deklaratën e ushtrisë.

Sipas njoftimit, Sweih “ishte përgjegjës për mbajtjen e kontakteve mes organizatës dhe banorëve të fshatit për çështje ushtarake dhe financiare. Ai merrej gjithashtu me shpronësimin e pronave private për qëllime terroriste”. Ushtria izraelite thekson se veprimtaria e tij “përbën shkelje të marrëveshjeve mes Izraelit dhe Libanit”.

Pavarësisht armëpushimit të nënshkruar në nëntor 2024, pas më shumë se një viti luftimesh me Hezbollahun, Izraeli vazhdon të kryejë sulme të përditshme në Liban, duke pretenduar se godet milicinë shiite pro-iraniane, të cilën e akuzon për përpjekje riarmatosjeje.

Nga ana tjetër, Ministria e Shëndetësisë e Libanit njoftoi dje vdekjen e një personi nga “një sulm izraelit ndaj një automjeti në qytetin Al-Mansouri, në rrethin e Tiros”.
Sipas agjencisë zyrtare libaneze të lajmeve (ANI), viktima ishte drejtori i një shkolle në zonë, i quajtur Mohamed Sweih.

Hezbollahu ka dalë jashtëzakonisht i dobësuar nga përballja e fundit me Izraelin, ndërsa SHBA i kanë rritur ndjeshëm presionet ndaj autoriteteve libaneze për çarmatimin e organizatës, kërkesë të cilën grupi islamik vazhdon ta refuzojë kategorikisht.