Dy studentët shqiptarë humbën jetën në aksident në Cleveland, familjet nisin procedurat për t’i sjellë në Shqipëri

Dy të rinj shqiptarë që studionin në Cleveland State University në SHBA humbën jetën tragjikisht në një aksident rrugor të martën, duke shkaktuar pikëllim të thellë në komunitetin shqiptar dhe atë universitar.

Viktimat janë Samira Xhaferi, 28 vjeç, dhe i fejuari i saj Albi Çela, 30 vjeç, të cilët kishin shkuar në SHBA nga Shqipëria për të ndjekur studimet e larta. Samira ishte doktorante, ndërsa Albi po përfundonte studimet në drejtësi.

Të afërmit e tyre tregojnë se çifti ndodhej në rutinën e zakonshme të mëngjesit në momentin e aksidentit, përpara se Albi ta linte Samirën në universitet dhe të shkonte në punë.

“Ishin njerëz jashtëzakonisht të zgjuar, të talentuar dhe me zemër të madhe,” tha Samia Mansour, kushërirë e familjes, për mediat amerikane.

Familjet e tyre, ende në shok, po punojnë për transportimin e trupave drejt Shqipërisë për funeralin. Humbi është ndjerë gjerësisht në komunitetin shqiptar, si edhe te stafi dhe studentët e CSU.

Mansour përshkroi Samirën si “të zgjuar, të pavarur dhe plot humor”, ndërsa Albin si një person “shumë kreativ, shumë gazmor dhe të aftë në gjithçka”.

Ajo apeloi që tragjedia të shërbejë si kujtesë për kujdes më të madh në trafik: “Kjo ndodhi pa sens. Thjesht bëni kujdes në rrugë.”

Policia amerikane ende nuk ka dhënë detaje për shkakun e aksidentit.
Një ceremoni publike për Samirën dhe Albin do të mbahet të dielën, nga ora 14:00 deri në 18:00, në Slone & Co. Life Celebration Center në West Park.

Ndërkohë, është hapur një GoFundMe për të ndihmuar me transportin drejt Shqipërisë dhe shpenzimet e varrimit.