“Plumbi i Artë”/ Atentatet- “Oti i Elbasanit” në GJKKO: Më dogjën biznesin, Dumani do më vriste, ju kam lënë Zotin

Nuredin Dumani dhe Elton Kila

TIRANË-Ka vijuar sot në GJKKO gjykimi për dosjen “Plumbi i Artë”, ku Elton Kila, i njohur ndryshe si Oti Kila, është paraqitur për të dëshmuar në GJKKO. Në dëshminë e dhënë në kuadër të procesit për dosjen “Plumbi i Artë”, Kila tregoi se prej më shumë se 25 vitesh merret me tregtinë e automjeteve, duke përfshirë import-eksportin dhe shitblerjen e makinave, si dhe menaxhimin e salloneve të automjeteve në qytetin e Elbasanit. Ai rrëfeu se gjatë viteve 2017 dhe 2018 iu shkatërrua biznesi i shitblerjes së makinave.
Kila deklaroi se ditën e plagosjes dhe arrestimit të Nuredin Dumanit ndodhej në Gjermani me familjen dhe mësoi se ky i fundit kërkonte ta vriste. Kila tha se në vitin 2017 pati një tentativë për shkatërrim prone, kur iu vu zjarr servisit në Bradashesh. Në vitin 2018, sipas dëshmisë së tij, biznesi iu dogj plotësisht. Në atë kohë ai ishte i ndaluar nga policia shqiptare, pas dyshimeve të drejtësisë italiane për mashtrime me sigurime automjetesh, që lidhnin me një ngjarje të vitit 2009. Ai tregoi se pas ngjarjes, i biri i rojës së servisit i kishte thënë se autor ishte Elio Bitri bashkë me dy persona të tjerë.
Kila sqaroi se në momentin kur ndodhi masakra e Bradasheshit, ndodhej në shtëpi pasi sapo kishte dalë nga burgu, ndërsa për vrasjen e Lulzim Bitrit, vëllait të Elio Bitrit deklaroi se ndodhej në një lokal aty pranë, por nuk kishte asnjë lidhje me ngjarjen
Dëshmia e plotë:
Në 2017 dhe 2018 më kanë shkatërruar biznesin. Kam një biznes prej 25 vitesh në treg për shitblerje makinash. Në 2017 kam pasur një tentativë për shkatërrim prone. Nuk u zbardh si ngjarje. Në 2018 ma shkatërruan fare biznesin. Si biznes e kam në Bradashesh. Hap pas hapi bëra 4 të tillë. Nga 2013 kam një bazë fikse. Para këtij aktiviteti kam qenë edhe jashtë Shqipërisë nga 1998-2003. Kam punuar më pas në import-export. Sillja makina në ato vite që nuk ka pasur shumë. Kam qëndruar në Francë, Gjermani, Zvicër. Në 2006 në Elbasan kam hapur dhe një palestër në Elbasan. Po ashtu kam pasur edhe një agjenci turistike dhe një lokal.
Ngjarja e 2017 ishte vetëm një tentativë. Unë isha në shtëpi. Kisha edhe roje. Më lajmëruan, që ka rënë zjarr jashtë servisit. Zjarrfikësit e fikën zjarrin, por u dëmtuan 3 automjete. Ne 2018 ishte prape zjarrvënie. Unë isha i ndaluar në atë kohë nga policia në Shqipëri pas dyshimeve të drejtësisë italiane në lidhje me mashtrim me sigurimit e automjeteve. Bëhej fjalë për një ngjarje të vitit 2009. Ditën e tretë të ndalimit më vunë zjarr tek biznesi, ku i dogjën 10 automjete dhe 10 motora. Teksa isha i ndaluar ngjarjen e mësova nga TV. Kam qëndruar i izoluar 45 ditë. Shkova në polici e prokurori, ku dhashë deklarime nëse kisha probleme me kënd.
Unë këto ngjarje nuk e di as sot se nga i kam. Pas ngjarjes i biri i rojës, Arbër Ramollari me tha që ka qenë Elio Bitri dhe 2 të tjerë. Elio Bitri rrinte shumë afër punës sime. Frekuentonim të njëjtin lokal. Nuk desha ta kontaktoj Elio Bitrin. Unë po vëzhgoja vetë. Doja të zbuloja më tepër dhe nuk bëra diskutime. Nuk munda të zbuloja më. Ju kam lënë Zotin edhe kaq. Ditën që kam marrë vesh që është plagosur Nuredin Dumani dhe që kanë ardhur për të më vrarë unë kam qenë në Gjermani. Në atë kohë kam pasur Facebook dhe kisha postuar live. Isha me familjen atje. Kur u ktheva në Shqipëri, pas një jave, përfliteshin shumë emra. Pas 2 muajsh doli lajmi se Dumani do vinte për të më vrarë mua në Elbasan.
Nuk e mbaj mend kush ma ka thënë, se m’u errën sytë. Nuk mund ta besoja. Ma kanë thënë disa herë, edhe policë ma kanë thënë, që flitej se ishte nisur për mua. Nuk e kisha dëgjuar asnjëherë emrin e Nuredin Dumanit. Unë nuk kam asnjë lidhje me asnjë nga këta. Më kërkoi familja të ikja jashtë, por unë nuk doja t’i lija njollë familjes. Nëse duan, le të vijnë, u thashë. Unë nuk ruhesha nga ndonjë njeri. Nuk kam pasur ndonjë konflikt, që t’i lidhja me këtë.