meksike
MEKSIKË- Një kryetar bashkie në shtetin perëndimor të Michoacan në Meksikë u qëllua për vdekje në një shesh para dhjetëra njerëzve që ishin mbledhur për festimet e Ditës së të Vdekurve, thanë autoritetet.
Politikanët vendas në Meksikë janë shpesh viktima të dhunës politike dhe të krimit të organizuar.
Kryetari i bashkisë Uruapan, Carlos Alberto Manzo Rodríguez, u qëllua për vdekje të shtunën në mbrëmje në qendrën historike të qytetit. Ai u dërgua me urgjencë në spital, ku më vonë vdiq, sipas prokurorit të shtetit Carlos Torres Piña.
Një anëtar i këshillit bashkiak dhe një truproje u plagosën gjithashtu në sulm.
Autori u vra në vendngjarje, bënë me dije autoritetet.
Sulmi ndaj kryetarit të bashkisë u krye nga një burrë i paidentifikuar i cili e qëlloi shtatë herë, tha García Harfuch. Arma ishte e lidhur me dy përleshje të armatosura midis grupeve rivale kriminale që vepronin në rajon, shtoi ai.
“Asnjë pistë hetimi nuk po përjashtohet për të sqaruar këtë akt frikacak që i mori jetën kryetarit të bashkisë”, tha García Harfuch.
Michoacan është një nga shtetet më të dhunshme të Meksikës dhe është një fushë beteje midis karteleve të ndryshme dhe grupeve kriminale që luftojnë për kontrollin e territorit, rrugëve të shpërndarjes së drogës dhe aktiviteteve të tjera të paligjshme.
Të dielën, qindra banorë të Uruapanit, të veshur me të zeza dhe që mbanin në dorë fotografi të Manzo Rodríguez, dolën në rrugët e qytetit për të shoqëruar procesionin e varrimit dhe për t’i dhënë lamtumirën kryetarit të vrarë.
Ata brohoritën “Drejtësi! Drejtësi! Jashtë Morenës!”, një referencë për partinë në pushtet të presidentes meksikane Claudia Sheinbaum.
Në muajt e fundit, kryebashkiaku i Uruapanit i kishte bërë thirrje publikisht Sheinbaumit në mediat sociale për ndihmë në përballjen me kartelet dhe grupet kriminale. Ai kishte akuzuar guvernatorin pro-qeveritar të Michoacanit, Alfredo Ramírez Bedolla, dhe policinë shtetërore për korrupsion.
Në krye të procesionit, një burrë udhëhiqte kalin e zi të Manzo Rodríguez, me një nga kapelat karakteristike të kryetarit të bashkisë të vendosur në shalë. Një grup muzikantësh, gjithashtu të veshur me të zeza, e ndiqnin dhe luanin këngë mariaçi.
