Kryeministri kanadez Mark Carney ka zbuluar se i ka kërkuar falje Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, pas transmetimit të një reklame televizive, e cila ndezi tensionet mes dy vendeve dhe ndërpreu negociatat tregtare.
Reklama, e financuar nga qeveria e Ontarios, përfshinte një fragment të redaktuar nga një fjalim radiofonik i ish-presidentit Ronald Reagan në vitin 1987, ku ai kritikonte tarifat tregtare, duke paralajmëruar se ato ‘dëmtojnë çdo punëtor dhe konsumator amerikan’.
Trump reagoi ashpër, duke e quajtur reklamën ‘të rreme’ dhe urdhëroi pezullimin e bisedimeve tregtare, si dhe rritjen e tarifave ndaj mallrave kanadeze.
Duke folur me gazetarët gjatë një vizite në Korenë e Jugut, Carney konfirmoi se kishte folur privatisht me Trump gjatë një darke zyrtare dhe se i kishte kërkuar falje personalisht.
‘Vendimi për ta transmetuar reklamën nuk ishte diçka që unë do ta kisha bërë. Për këtë arsye, i kërkova falje Presidentit Trump. Si kryeministër, mbaj përgjegjësinë për marrëdhënien me Shtetet e Bashkuara,’ tha Carney.
Ai shtoi se reklama ishte diskutuar paraprakisht me kryeministrin e Ontarios, Doug Ford, qeveria e të cilit kishte financuar fushatën.
‘Z. Ford mori vendimin e tij, është i pavarur dhe mund ta bëjë, por reklama nuk ishte e dobishme,’ , u shpreh Carney.
Doug Ford, i cili më vonë ndërpreu fushatën, deklaroi në rrjetet sociale se reklama kishte si qëllim ‘të hapte një debat mbi ndikimin e tarifave te punëtorët amerikanë’.
Ndërkohë, kryeministri i Kolumbisë Britanike, David Eby, njoftoi se provinca e tij po planifikon të publikojë një reklamë të ngjashme kundër tarifave në SHBA.
Presidenti Trump konfirmoi të premten se Carney i kishte kërkuar falje dhe e përshkroi marrëdhënien me të si ‘shumë të mirë’, por shtoi se bisedimet tregtare nuk do të rifillojnë për momentin.
Carney, i cili u zgjodh në prill dhe premtoi se do të menaxhonte më mirë marrëdhëniet me SHBA-në, tha se Kanadaja është gati të rifillojë negociatat sapo Uashingtoni të jetë i gatshëm.
Marrëdhëniet mes Otavës dhe Uashingtonit janë përkeqësuar ndjeshëm që nga rikthimi i Trump në detyrë, me vendosjen e tarifave të reja për mallrat kanadeze dhe deklaratat provokuese të presidentit amerikan, i cili ka thënë se ‘Kanadaja duhet të bëhet shteti i 51-të i SHBA-së.’