vendngjarje-Viktima Leandro Shametaj
VLORË- Gjykata e Vlorës ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për 32-vjeçarin Hajri Bajramaj, i cili aksidentoi për vdekje 17-vjeçarin Leandro Shametaj. Bajramaj akuzohet për veprën penale “Shkelje e rregullave te qarkullimit rrugor” dhe “drejtimi i automjetit në gjendje të dehur”.
Gjykata ka pranuar kërkesën e prokurorisë për masën e arrestit me burg, ndërsa mësohet se gjatë seancës i akuzuari ka kërkuar falje për ngjarjen. Ndërkohë, jashtë gjykatës të pranishëm edhe familjarë të 17-vjeçarit që humbi jetën në aksident. Daja i 17-vjeçarit të ndjerë, Patriot Deraj dhe familjarë të tjerë kanë kërkuar ashpërsim të dënimit, pasi sipas tyre, ky rast duhet të cilësohet si vrasje me dashje dhe jo thjesht si një aksident rrugor.
“Ne kërkojmë nga drejtësia, që vërtet ai e ka marrë atë çfarë meriton, por ne kërkojmë të ashpërsohet ky ligj pasi ai nuk është një aksident, por për ne është një vrasje me dashje. Në momentin që ecën ne bulevard me 200 km/h dhe të jesh i papërgjegjshëm dhe të të dalin të dyja testet e bëra të alkoolit pozitiv, për ne kjo është…ku di unë, nuk ka fjalë dhe nuk e përshkruajmë dot. Nuk arrijmë dot ta besojmë të gjithë atë që ka ndodhur. Kërkojmë të ashpërsohet ligji dhe të mos ngelet me burg apo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, se kjo nuk është shkelje e qarkullimit rrugor, por për ne është vrasje me dashje.”, tha ai.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 01:30 të 28 tetorit në bulevardin “Ismail Qemali” në Vlorë. Leandro Shametaj mbeti viktimë e aksidentit, pasi u përplas nga një mjet “Porche”, i cili drejtohej në gjendje të dehur nga 32-vjeçari Haiti Bajramaj. 32-vjeçari u arrestua në flagrancë për “Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt” dhe “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”./ZËRI
