Anëtari i departamentit Brain Gain në Partinë Demokratike, Nikola Kedhi, njëkohësisht edhe ekspert për çështjet ndërkombëtare, ka komentuar marrëdhënien e kryeministrit Edi Rama me rrjetin e Soros gjatë një interviste në edicionin ‘Ora 19’ me Armela Ferkon.
Sipas tij, sa më shumë të mbyllen dyert për Ramën në administratën amerikane, aq më shumë ai po i afrohet Alex Sorosit, duke e parë këtë lidhje si një ‘varkë shpëtimi’.
‘Sa më shumë t’i mbyllen dyert Edi Ramës në rrethin e Trumpit nga administrata amerikane, por tashmë kam përshtypjen unë, është perceptimi im i ky, që dhe në Europë po fillon një farë distancimi nga kryeministri shqiptar, aq më shumë do kapet pas Alex Sorosit,’ u shpreh Kedhi.
Sipas tij, Rama e sheh rrjetin e Sorosit si të vetmen mundësi për të ruajtur ndikimin e tij politik, edhe nëse kjo e çon drejt një rrëzimi të përbashkët.
‘Sepse e shikon si të vetmen mundësi, si një varkë shpëtimi dhe thotë, në qoftë se unë fundosem, të paktën të fundosem me këtë dhe ikim së bashku domethënë, me këtë rrjet. Në qoftë se goditet gjithë ky rrjet në arenën ndërkombëtare, kryeministri ndoshta bën paqe në fund me këtë fakt që do iki me këtë rrjetin dhe do goditet si pjesë e këtij rrjeti.’
Kedhi shtoi se Rama mund ta përdorë këtë lidhje si justifikim për goditjet që mund të marrë në arenën ndërkombëtare, duke e paraqitur veten si pjesë të një beteje politike dhe jo si përgjegjës për aferat për të cilat akuzohet.
‘Ndoshta edhe si justifikim, jo për aferat që ka këtu, për çfarë akuzohet dhe nga opozita dhe nga faktorë të tjerë, qoftë brenda vendit, qoftë jashtë, po si një goditje politike që ai i përket. Po është, mendoj unë, e natyrshme që ai ta gjejë shpëtimin këtu, sepse është ky rrjet që i ka dhënë gjithë këtë pushtet.’
