erion veliaj-gjykata kushtetues
TIRANË- Gjykata Kushtetuese do të mbajë seancën publike për shqyrtimin e kërkesës së ish-kryebashkiakut Erion Veliaj, më datë 31 tetor. Sipas një njoftimi zyrtar, Kushtetuesja bën me dije se ka njoftuar Veliaj për datën dhe orën e zhvillimit të seancës, pasi ky i fundit ka shprehur vullnetin për të marrë pjesë në seancë. Sipas njoftimit, Kushtetuesja ka njoftuar Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve për marrjen e masave për shoqërimin e Veliaj në seancë. Gjithashtu është njoftuar dhe SPAK, pas konfirmimit të Veliajt.
Njoftimi:
Në përgjigje të interesit të shprehur nga mediat dhe në kuadër të transparencës dhe shpërndarjes së informacionit publik, më poshtë gjeni informacionin e dhënë nga ana e Gjykatës Kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese, bazuar në nenet 21, pika 1 dhe 38, pikat 1 dhe 2 të ligjit nr. 8577, të ndryshuar, me shkresën nr. 28 (E) 2025 Regj.Them, datë 09.10.2025, ka njoftuar kërkuesin Erion Veliaj për datën dhe orën e zhvillimit të seancës plenare publike në 31.10.2025.
Gjithashtu, ju informojmë se Gjykata Kushtetuese me shkresën nr. 28 (E) 2025 Regj.Them, datë 13.10.2025, ka njoftuar Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve duke e vënë në dijeni për datën dhe orën e zhvillimit të seancës plenare publike, si dhe marrjen e masave për shoqërimin e zotit Erion Veliaj në seancën plenare publike në rast se do të shprehej vullneti për marrjen pjesë personalisht në gjykim.
Në vijim, në datën 20.10.2025, pas shprehjes së vullnetit të kërkuesit, Gjykata ka njoftuar edhe Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në lidhje me sa më sipër.
Faleminderit për bashkëpunimin tuaj!
Vendimi për shkarkimin e kryebashkiakut u mor pas miratimit të një propozimi nga Këshilli Bashkiak Tiranë për largimin e Veliajt nga detyra. Këshilli Bashkiak e shkarkoi Veliajn, më 23 shtator, me 50 vota pro të PS-së dhe PD-së, duke iu referuar ligjit të vetëqeverisjes vendore, se shkarkimi i kryetarit mund të kërkohet pasi ai mungon për 3 muaj rresht në detyrë. Vendimi më pas, u firmos firmosur në mbledhjen qeverisë, më 25 shtator, një ditë pasi prefekti i Tiranës e kishte përcjellë kërkesën e Këshillit Bashkiak drejt kryeministrisë.
Ndërkohë Erion Veliaj ka ankimuar këtë vendim në Gjykatën Kushtetuese duke kërkuar shfuqizimin e tij si të papajtueshëm me Kushtetutën. Ai kërkon gjithashtu shfuqizimin e dekretit të Presidentit që cakton datën e zgjedhjeve të pjesshme vendore në Bashkinë Tiranë dhe pezullimin e efekteve të këtij dekreti deri në një vendim përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.
Më 8 tetor, Gjykata Kushtetuese rrëzoi drekretin e Presidentit, Bajram Begaj për zgjedhjet e 9 Nëntorit. Vendimi erdhi pasi Kushtetuesja u vu në lëvizje nga Erion Veliaj, i cili ankimoi vendimin e shkarkimit të tij si kryebashkiak i Tiranës.
Presidenti Bajram Begaj, më datë 1 tetor 2025, nxorri dekretin për zgjedhje të parakohshme në Bashkinë e Tiranës dhe 5 bashki të tjera të vendit. Pas dekretit, avokatët e Erion Veliajt bënë shtesë në ankimimin e tyre të mëparshëm, duke kërkuar edhe shpalljen anti-kushtetues të dekretit të Presidentit për zgjedhjet e Tiranës. Gjykata Kushtetuese do të mbajë seancën publike për të shqyrtuar kërkesën e Erion Veliajt më 31 tetor./ZËRI
