“Njerëzit njihen në punë”, Balluku prezanton drejtorin e ri të Portit të Durrësit: Ma ngrohu zemrën kur tha po…

belinda balluku

TIRANË- Zv.kryeministrja Belinda Balluku ka prezantuar Liburn Aliun, në postin e drejtorit të ri të Portit të Durrësit, për të cilën shprehu vlerësimet më të larta. Balluku tha se njerëzit njihen në punë, dhe për këtë shkak ajo i ka propozuar Aliut këtë pozicion kaq të rëndësishëm dhe me vlerë strategjike për Shqipërinë. Ministrja e Energjitikës dhe Infrastrukturës tha se kandidatura e Aliut ka gjetur dhe mbështetjen e kryeministrit Edi Rama, pasi sipas saj porti i Durrësit i shërben të gjithë shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor, dhe jo vetëm atyre që jetojnë brenda shtetit tonë.
“Njerëzit njihen në punë thuhet, dhe unë me Liburnin ashtu jemi njohur, gjatë kohës që kemi qenë kolegë, dhe kemi shërbyer në qeveritë e dy vendeve tona. Në fillim të muajit shtator unë bëra një bisedë me Liburnin, dhe e pyeta nëse kishte interes që të kontribuonte për Shqipërinë. Ma ngrohu menjëherë zemrën, se i shkonte për shtat dhe me vendimin që kishte marrë për të jetuar në Tiranë. Vendimin e çova te kryeministri, Edi Rama ka punuar historikisht për Shqipërinë dhe Kosovën, me të njëjtin pasion dhe dëshirë, për t’i parë shqiptarët sa më lart.
Ne kemi pasur dhe kolegë të tjerë nga Kosova përgjatë kësaj decade, por mund të them që Liburn Aliu është një nga më të spikaturit. Kryeministri ma ka pranuar propozimin tim, dhe e ka mbështetur, pasi porti i Durrësit është porti i shqiptarëve, është porta hyrëse në Ballkanin Perëndimor. Porti i Durrësit është porta hyrëse e korridorit të tetë, për të cilin ne kemi folur gjatë. Porti i Durrësit ka nevojë për një profesionist, por edhe për një person me njohje politike dhe gjeopolitike, për të gjithë rajonin”, u shpreh Balluku.
Mes të tjerash, zv.kryeministrja foli dhe për portin e ri që do të ndërtohet në Porto Romano, i cili sipas saj do të fillojë nga puna brenda vitit 2026 dhe do të jetë gati për 3 vite.
“Portin e Durrësit, i cili ka kaluar periudha reformimi që konsistojnë nga ndërtimi I një porti të ri deri në tërheqjen e kapaciteteve të reja. Ky port do ti shërbejë Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Prej kohësh, keni nisur një proces të gjatë që do të përfundojë përpara 2030 ashtu edhe siç parashikohet në strategjinë për zhvillimin e sektorit detar. Ne kemi nisur një plan zhvillimi të një porti të ri në afërsi të Durrësit, duke qenë se Durrësi është një vend strategjik. Jemi në fazën e fundit për ndërtimin e këtij porti. 5 kompani kanë garuar dhe në 31 janar do të kemi fituesin. Do të vazhdohet me negocimin e kontratës me synimin për të nisur ndërtimin e portit të ri brenda 2026. Sipas llogaritjeve ky port duhet të jetë gati për 3 vite. Porti i ri i Durrësit parashikohet që të jetë dhe një bazë e NATO e vendosur në zemër të Mesdheut dhe në Shqipëri si një aleat”, vijoi Balluku.

Liburn Aliu dha dorëheqjen më 27 gusht të këtij viti, nga posti i ministrit në Kosovë, vetëm një ditë pasi Dimal Basha u zgjodh Kryetar i Parlamentit. Në një postim gjatë verës, Aliu theksoi se zgjedhja e Bashës ishte arsyeja kryesore e dorëheqjes së tij. Porti i Durrësit drejtohej deri tani nga Kreshnik Bajraktari, i cili pritet që të marrë detyrën e kreut të drejtorisë së shërbimeve rrugore, një institucion po asht unë varësi të ministres Belinda Balluku. /ZËRI