Keir Starmer
BRITANI- Qeveria britanike ka premtuar t’i japë fund strehimit të azilkërkuesve në hotele deri në vitin 2029, mes presionit në rritje për kostot dhe një reagimi negativ në komunitetet lokale.
Kryeministri britanik Keir Starmer ka deklaruar se është i vendosur të mbyllë hotelet që përdoren për strehimin e azilkërkuesve, duke fajësuar qeverinë e mëparshme për “një rrëmujë gjigante” në sistemin e emigracionit.
Starmer tha se Ministria e Brendshme po i përpunonte kërkesat për azil “shumë më shpejt” dhe po i largonte ata që nuk kishin të drejtë të qëndronin në vend “me një ritëm më të lartë se pjesa më e madhe e një dekade”.
“Qeveria ka trashëguar një situatë të vështirë në të gjitha departamentet, përfshirë Ministrinë e Brendshme. Pas periudhës së qeverisë së mëparshme, ku kërkesat për azil nuk u trajtuan në kohë, ata u strehuan në hotele, duke bërë që numri i hoteleve për azilkërkues të arrinte në 400. Aktualisht janë rreth 200, dhe plani është që të mbyllen të gjitha, me shqyrtimin e kërkesave që po bëhet më shpejt”, tha Starmer.
Një raport nga Komiteti i Çështjeve të Brendshme thotë se kostoja e pritur e strehimit të azilkërkuesve është trefishuar nga 4.5 miliardë paund në 15.3 miliardë paund.
Kjo vjen pas një “rritjeje dramatike” të kërkesës pas pandemisë COVID dhe numrit në rritje të atyre që mbërrijnë me varka të vogla.
Raporti, duke iu referuar kontratave të akomodimit për vitet 2019-2029, kritikon Ministrinë e Brendshme për dështimin në rimarrjen e fitimeve të tepërta nga ofruesit e akomodimit për azil , që arrijnë në dhjetëra milionë paund që i detyrohen departamentit.
