Deputeti Arjan Ndoja ka reaguar pas raportimit të Prokurorit të Përgjithshëm Olsian Çela në Kuvend, duke ngritur disa shqetësime që, sipas tij kanë interes publik.
Në fjalën e tij, Ndoja theksoi se në një vend ku shpopullimi po rritet ndjeshëm, kriminaliteti është shtuar me 30 deri në 32 për qind, çka, sipas tij, tregon ose për një rritje të efikasitetit të organeve ligjzbatuese, ose për përkeqësim të situatës kriminale si pasojë e politikave qeverisëse.
Ai vlerësoi qëndrimin e Çelës për mënyrën e hartimit të Kodit të ri Penal, por paralajmëroi se vendi po shkon “nga parimi i humanizmit drejt një karakteri hakmarrës”, duke reflektuar një klimë të dhunshme që po prek çdo segment të shoqërisë.
Ndoja u ndal edhe te kushtet e punës për magjistratët, duke theksuar se prokurorët dhe gjyqtarët nuk mund të presin deri në vitin 2030 për përmirësim të kushteve nga qeveria.
Sipas tij, reformat në drejtësi duhet të shërbejnë për qytetarët dhe jo të pengohen nga mungesa e mbështetjes institucionale.
Arjan Ndoja: I nderuar Prokurori i Përgjithshëm, ju faleminderit për raportimin.
Nga pyetjet e mia, më dolën disa përgjigje që kanë shumë interes për publikun.
E para në një vend ku shpopullimi ka arritur në nivele shumë të larta, është rritur kriminaliteti me 30-32%, që është shumë skandaloze dhe këtë duhet ta dinë shqiptarët.
Pra, ose kemi rritje të efikasitetit të organeve ligjzbatuese, ose kemi rritje të krimit për shkak të kësaj politike qeverisëse që po udhëheq vendin.
E dyta, falënderoj që ke mbajtur një qëndrim korrekt për mënyrën e hartimit të Kodit të ri Penal. Pra nga parimi i humanizmit ne po shkojmë drejt karakterit hakmarrës. Pra psikologjia e dhunës për të kapur çdo segment e sektor të shoqërisë me qëllim që mbretërimi të jetë i qetë përgjatë këtij kalvari të gjatë dhimbjesh që po kalon shtetit dhe popullsia shqiptare me këtë sistem qeverisës.
E treta, më vjen mirë që edhe qëndrimi juaj në lidhje me kushtet e punës së magjistratëve shkon në koherencë me realitetin, nevojat e magjistratëve. E vetja pjesë që nuk dakordësohem është se, prokurorët shqiptarë nuk mund të presin vitin 2030 deri sa të ju plotësohen kushtet nga qeveria. Pra nëse ne bëjmë një reformë, duam që kjo reformë të shkojë në favor të qytetarëve.
Nëse nuk i krijojnë kushte, institucioneve, solemnitet prokurorëve, gjyqtarëve kjo e bë të pamundur ushtrimin e të drejtave të tyre.
E fundit edhe për kolegët, ju sot jeni vetëm lajmëtar, pasqyrues i statistikave të prokurorive të rretheve. Pra ju nuk kemi asnjë kompentencë, siç e tha pak më parë edhe kryetari i PD, ju sot ne mund të ju sugjerojmë vetëm krijimin e udhëzimeve të cilat nuk kanë karakter detyrues, por vetëm orientim për qytetarët.
Kjo është baza ligjore, kompetencat që ju kemi dhënë.
