Nga kodi Omertà te dosjet për shantazh/ Blushi akuza të rënda në seancën plenare

Seanca plenare e Kuvendit u shoqërua me tone të ashpra dhe akuza të forta nga radhët e opozitës.

Kryetari i Grupit parlamentar të PL dhe njëkohësisht deputet i opozitës, Tedi Blushi deklaroi se mazhoranca operon nën “manualin e kodit Omertà”, duke akuzuar se shumica e deputetëve të qeverisë kanë dosje në një institucion, të cilin e cilësoi si “gjymtyrën më të shëmtuar të këtij regjimi represiv”.

Sipas Blushit, këto dosje nuk mbahen pa qëllim, por shërbejnë ose për shantazh, ose si një mjet për të garantuar atë që ai e quajti “pushtet kriminal”. Për të mbështetur pretendimin e tij për mungesën e institucioneve të pavarura, deputeti iu referua raportit të fundit të OSBE/ODIHR-it, duke theksuar se në Shqipëri, shteti dhe partia në pushtet janë shkrirë në një.

Në fjalën e tij, ai denoncoi se opozita dhe veçanërisht dy prej liderëve të saj janë trajtuar si “armiq” nga institucione që vetë janë sjellë si armiq të lirive dhe të drejtave të njeriut, demokracisë dhe pluralizmit politik.

Ai u bëri thirrje deputetëve të mazhorancës që të lejojnë debatin dhe transparencën, duke u shprehur se ata kanë frikë nga krimet e tyre.

Në përfundim, deputeti kërkoi që seanca të vijojë me transparencë dhe llogaridhënie, veçanërisht për qytetarët, të cilët, sipas tij, meritojnë të dinë se ku përfundojnë taksat e tyre. “Çlirohuni nga komplekset e krimeve tuaja dhe hajdutëritë që i keni bërë buxhetit të shtetit”, ishte apeli i tij përmbyllës drejtuar kolegëve të mazhorancës.

Pjesë nga deklarata:

“Palë edhe pyetjet. Unë e kuptoj që i vetmi manual që ju keni është manuali i kodit OMERTAH. Sepse shumica prej jush në fakt kanë dosje në një institucion, i cili është gjymtyra më e shëmtuar e këtij regjimi represiv dhe për më tepër që unë dhe besoj shumica e kolegëve…

Nuk duhet të kemi dhe nuk kemi asnjë iluzion. Sidomos pas raportit të OSBE ODIHR-it, për të folur për institucione të pavarura në një regjim ku shteti dhe partia janë shkrirë në një.

Ndaj, ju ftoj të lejoni debatin, të lejoni pyetjet dhe të mos kini frikë nga transparenca. Unë e kuptoj që ju kini frikë nga krimet tuaja, sepse të gjithë prej jush këtu janë me dosje në një institucion, i cili këto dosje o i përdor për shantazh, o i përdor si mjet për të garantuar këtë pushtet kriminal, siç e faktoi edhe raporti i fundit i OSBE ODIHR-it.

Ndaj lejoni që kjo seancë sot të garantojë transparencën dhe llogaridhënien për këto institucione të cilat me vetëdije dhe me qëllim janë bërë palë e një regjimi represiv, në radhë të parë ndaj qytetarëve, dhe sidomos ndaj opozitës.

Me dy liderët e opozitës të cilët në mënyrë të veçantë janë trajtuar nga këto institucione gjoja të pavarura si armiq. Dhe kur në fakt janë këto institucione që nuk kanë bërë asgjë tjetër veçse janë sjellë si armiq me liritë dhe të drejtat e njeriut, si armiq me demokracinë dhe pluralizmin politik. Ndaj çlirohuni nga komplekset e krimeve tuaja.

Çlirohuni nga makthet dhe hajdutëritë që i keni bërë buxhetit të shtetit, dhe lejoni që kjo seancë të zhvillohet në radhë të parë për qytetarët që duan të dinë se ku kanë përfunduar dhe ku përfundojnë taksat e tyre. Faleminderit”.