damian gjiknuri
TIRANË- Ka nisur me debate seanca e sotme parlamentare, ku PS dhe PD votuan me shumicë votash ngritjen e komisioneve të posaçme për Reformën Zgjedhore dhe atë Territoriale. Agron Shehaj nga Partia Mundësia, tha se pakti mes PS dhe PD synon zhdukjen e partive të vogla, dhe se ngritja e komisioneve është bërë pa dakordësinë e tyre.
Përfaqësuesi i PS në Komisionin për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri, tha se ishte i pamundur që të adresoheshin në komisione shqetësimet e të gjitha partive të vogla opozitare.
“Mbase, në zhurmën që bëhet këtu në Parlament, harrohen disa detaje. E para, të gjitha partitë janë të përfaqësuara aty dhe çështja e votës është irrelevante sepse votën e ka të barazvlefshme me veton e bashkëkryetarit. Veton dhe votën praktikisht e kanë dy forcat e mëdha, kjo është e vërteta. Është e pamundur t’i akomodosh të gjitha partitë te opozita sepse janë 13 parti opozitare. Çdo anëtar i çdo partie ka të drejtë të propozojë. Kjo është tradita tani, është e pamundur t’i përfaqësosh të gjithë në një komision”, tha Gjiknuri.
“Më vjen keq që gjithmonë partitë e vogla e gjejnë fajin te sistemi, duke harruar që vetë janë produkt i atij sistemi”, shtoi Gjiknuri./ZËRI
