sali berisha ne kuvend
TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, ka sqaruar në Kuvend arsyen se pse forca politike që ai drejton bashkoi votat me Partinë Socialiste, për ngritjen e dy komisioneve të posaçme parlamentare, për Reformën Zgjedhore dhe atë Territoriale. Sipas Berishës, edhe pse me Edi Ramën nuk ka zgjedhje të lira, opozira duhet të adresojë rekomandimet e OSBE/ODIHR, si dhe të ndryshojë standardet e pabarazisë në reformën territoriale.
Deklarata e Berishës në Kuvend
Ne sot votuam ngritjen e këtyre dy komisioneve për dy arsye themelore.
Së pari janë një seri e pafundme e rekomandimeve të OSBE/ODIHR, të cilat ne i kemi pranuar dhe besojmë se janë të rëndësishme.
OSBE/ODIHR ka bërë një punë të jashtëzakonshme dhe në raportin e fundit damkosi në mënyrë përfundimtare si një farsë e shëmtuar zgjedhore, zgjedhjet e 11 majit.
Në këtë kontekst, ne ndjehemi të detyruar ndaj tyre që orientimet e drejta dhe rekomandimet e drejta, t’i kthejmë në ligj, ndonëse deklarojmë se në mënyrë absolute me Edi Ramën, shqiptarët nuk do votojnë kurrë si qytetarë të lirë.
Kjo është e vërteta.
Së dyti, reforma territoriale ishte një antireformë, në të cilën u vendosën standardet e pabarazisë maksimale.
Mjafton të rikujtoj këtu se qarku i Gjirokastrës me 120 mijë banorë ka 7 njësi, qarku i Tiranës me mbi 1 milion banorë ka 4 njësi.
Sigurisht që ne do bëjmë gjithçka që këto padrejtësi maksimale të largohen, të anulohen dhe kjo me ndihmën e Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës.
Pra, kjo është arsyeja se pse ne i votuam këto dy komisione, ndonëse me bindjen më të thellë se me Edi Ramën nuk ka zgjedhje, me Edi Ramën nuk ka votë të lirë.
Është vetëm vendimi i qytetarëve ai që do u rikthejë shqiptarëve votën.
Është përpjekja e opozitës ajo që do u rikthejë shqiptarëve votën.
Kuvendi miratoi sot me votat e mazhorancës dhe opozitës ngritjen e komisionit për reformën zgjedhore dhe për reformën territoriale dhe administrative. Në favor të ngritjes së komisionit për reformën zgjedhore votuan 113 deputetë të Kuvendit. Ai përbëhet nga 16 anëtarë. PS dhe PD do të kenë nga 7 përfaqësues, Aleanca për Ndryshim 1 dhe Partia e Lirisë 1. Ky komision do të ketë 2 bashkëkryetar.
Emrat e anëtarëve të Komisionit përcaktohen me vendim të Kuvendit. Në mbledhjet e Komisionit mund të marrin pjesë pa të drejtë vote deputetë të partive të tjera parlamentare të cilët kanë të drejtë të bëjnë propozime për ndryshime në legjislacionin e Reformës Zgjedhore. Vendimmarrja e Komisionit do të synojë konsensusin e gjerë për të gjitha propozimet.
Vendimet e Komisionit quhen të miratuara me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve, por vetëm kur kanë njëkohësisht konsensusin e të dy bashkëkryetarëve.
Ndërkohë, komisioni për reformën administrative do të ketë po ashtu 16 anëtarë, 8 nga PS, 6 nga PD, 1 nga Aleanca për Ndryshim dhe 1 nga PL. Ky komision do të shqyrtojë kuadrin ligjor të qeverisje vendore, ridizenjimin territorial dhe rekomandimin e masave për shëndoshjen financiare për qeverisjen lokale. Kohëzgjatja e këtij komisioni do të jetë 9 muaj. /ZËRI
