Krerët e institucioneve të drejtësisë përfshirë Dumanin raportojnë sot në kuvend, pritet përballja me Berishën

Kuvendi i Shqipërisë zhvillon sot një seancë ku do të dëgjohen raportimet vjetore të institucioneve të drejtësisë dhe atyre të pavarura.Në seancë do të marrë pjesë edhe drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, i cili do t’u përgjigjet pyetjeve të deputetëve për punën e institucionit që ai drejton. Kjo pritet të jetë edhe përballja e parë në sallën e Kuvendit mes kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, dhe drejtuesit të SPAK-ut.
Megjithatë, mbetet për t’u parë se si do të zhvillohet seanca, pasi herën e kaluar kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, vendosi që deputetët të mos lexojnë pyetjet për drejtuesit e institucioneve, pasi i kanë nisur më herët me shkrim, vendim ky që tensionoi situatën dhe si rezultat PS vendosi të votojë e të mbyllë seancën.
PD i ka dërguar një letër kryeparlamentarit Peleshi, ku shpjegon se në bazë të rregullores deputetët demokratë do të shpjegojnë vetë pyetjet për drejtuesit e institucioneve.
Përveç SPAK-ut, sot në parlament do të raportojnë edhe Prokurori i Përgjithshëm, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor, dhe për secilin raportim deputetët kanë 150 minuta kohë në dispozicion për diskutime.
Por në parlament do të votohet ngritja e komisionit të reformës territoriale dhe reformës zgjedhore. Ky pritet të jetë i vetmi moment konsensual i parlamentit, pasi PS ka pranuar kërkesën e opozitës për barazi anëtarësh në të dy komisionet dhe deputetët demokratë do të votojnë pro.