Zgjidhja për fryrjen dhe shqetësimin e stomakut

Fryrja e barkut, shpesh pasojë e ngrënies së tepërt, të shpejtë ose e intolerancave ushqimore, mund të jetë gjithashtu një shenjë e sindromës së zorrës së irritueshme apo kapsllëkut kronik, por zakonisht zgjidhet brenda disa orësh deri në disa ditë, raporton Tportal.

Ekspertët sugjerojnë se disa ushqime të veçanta mund të ndihmojnë në lehtësimin e shpejtë të fryrjes dhe ndjenjës së rëndesës. Një nga këto është patatja e ëmbël, e pasur me fibra dhe kalium, të cilat përmirësojnë tretjen dhe balancojnë lëngjet e trupit.

Selinoja, për shkak të përmbajtjes së lartë të ujit dhe fibrave, është ideale për tretjen dhe mund të zëvendësojë perimet që shkaktojnë gazra, si brokoli ose lulelakra.

Kosi dhe produktet e tjera fermentuara, si kimchi, kombucha dhe lakër turshi, ndihmojnë në balancimin e mikrobiotës së zorrëve dhe lehtësojnë tretjen. Kombinimi i kosit me fruta të ulëta në fruktozë mund të jetë një vakt i ëmbël dhe i lehtë për stomakun.

Ndërsa ananasi, i pasur me bromelinë, një enzimë që ndihmon në zbërthimin e proteinave, mund të reduktojë ndjesinë e rëndesës pas ngrënies. Papaja është një alternativë e ngjashme për ata që nuk preferojnë ananasin.

Përfshirja e këtyre ushqimeve në dietën e përditshme mund të sjellë një lehtësim të dukshëm dhe të sigurt për problemet e zakonshme me fryrjen.