Policia greke ka arrestuar tre shtetas shqiptarë të kërkuar për vepra të ndryshme penale në Greqi dhe Zvicër. Arrestimet u kryen në operacione të ndara në Kakavijë dhe Janinë.
Në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës, në dy raste të ndryshme, oficerët e Departamentit të Kontrollit të Pasaportave në bashkëpunim me Policinë e Pogonit arrestuan dy shtetas shqiptarë, të cilët ishin në kërkim nga autoritetet greke.
Sipas mediave lokale, njëri prej tyre ishte dënuar me 1 vit burg nga Gjykata Tre-Anëtarëshe e Apelit për Krime në Maqedoninë Perëndimore, ndërsa tjetri kishte marrë një gjobë prej 1500 eurosh nga Gjykata Një-Anëtarëshe e Kundërvajtjeve të Follorinës, për shkelje të legjislacionit për të huajt.
Ndërkohë, në Janinë, policia arrestoi një tjetër shtetas shqiptar, ndaj të cilit ishte lëshuar një urdhër arresti evropian nga autoritetet zvicerane për trafikim droge. Sipas ligjit zviceran, kjo vepër parashikon një dënim maksimal deri në 20 vite burgim.
I arrestuari është shoqëruar në Prokurorinë e Janinës, ndërsa pritet nisja e procedurave ligjore për ekstradim.
👉 Policia greke ka bërë të ditur se operacionet për identifikimin e personave të kërkuar ndërkombëtarisht do të vijojnë në bashkëpunim me Interpolin dhe autoritetet kufitare shqiptare.
Tre shtetas shqiptarë të kërkuar në Greqi dhe Zvicër bien në prangat e policisë greke
