Përtej skandaleve që e çuan në burg, trashëgimia e Nicolas Sarkozy-së është e lidhur ngushtë me stilin e tij unik dhe proaktiv të qeverisjes, i cili i dha nofkën “hiper-presidenti”. Ndryshe nga paraardhësit e tij, Sarkozy ishte një lider që ndërhynte drejtpërdrejt në çdo çështje, nga politika e brendshme deri te marrëdhëniet ndërkombëtare. Ky stil impulsiv pati një ndikim të veçantë në Ballkan. Sipas analistit Artan Kutra, Sarkozy luajti një rol thelbësor dhe pasionant në çështjen e Kosovës.
I ftuar në ‘Syri i Botës’ me Dori Daka në SYRI TV, analisti u shpreh se Sarkozy ishte një nga liderët e parë botërorë që njohu pavarësinë e shpallur në vitin 2008 dhe përdori ndikimin e tij brenda Bashkimit Europian për të inkurajuar edhe shtete të tjera të ndiqnin shembullin e Francës.
Përpjekjet e tij për të ndërmjetësuar dhe për të ushtruar presion ndaj Serbisë për të zbutur qëndrimin e saj, sipas Kutrës e bëjnë atë një figurë kyçe në historinë e shtet-ndërtimit të Kosovës, një aspekt i presidencës së tij që shpesh kujtohet me mirënjohje në rajon.
Kutra:
Mjafton të themi për shembull në kontekstin gjeopolitik të Ballkanit, pra gjatë viteve 2007-2012 kur ai ishte president, Nicolas Sarkozy ishte ende një president që donte të ndikonte edhe në Ballkan. Dhe pikërisht ka qenë çështje e Kosovës, një çështje shumë pasionante për të. Ai ndikonte drejtpërsëdrejti edhe ndaj Serbisë që të zbuste qëndrimin e Serbisë ndaj Kosovës.
Dhe në këtë, mund t’ju konfirmoj që ka qenë ndër të parët president, zoti Sarkozy, që ka njohur i pari pavarësinë e Kosovës që në shkurt të vitit 2008 kur Kosova e shpalli këtë pavarësi në mënyrë të njëanshme, Sarkozy e mbështeti dhe luajti dhe një rol të rëndësishëm brenda Bashkimit Europian, që të kishte edhe shumë presidentë dhe kryeministra të tjerë europianë të cilët të shkonin në këtë drejtim.
Mund të shikojmë për shembull Spanja nuk e pranoi njohjen e Kosovës sepse kishte një problem tjetër dhe të brendshëm, çështjen e katalanasve, të cilët edhe ata duke u frymëzuar nga Kosova mund të kërkonin pavarësinë nga Spanja. Dhe justifikoheshin për mosnjohjen e Kosovës. Nga ana tjetër Sarkozy duhet të themi që ka luajtur një rol të rëndësishëm për ruajtjen e stabilitetit në rajonin e Ballkanit.
Po të njëjtin rol luajti edhe me Bosnjë-Hercegovinën, me misionet e paqes që ka dërguar aty forcat ushtarake. Duhet t’ju kujtoj se ka qenë pikërisht Nicolas Sarkozy i pranishëm si president edhe gjatë kohës kur Shqipëria u bë anëtare e NATO-s.Sikundër ju thashë edhe pak më parë, ai fillimisht ka qenë kryetar i bashkisë së zonës Neuilly-sur-Seine. Sigurisht ka pasur një aktivitet shumë të gjerë, ka pasur thashetheme që mund të ketë manipuluar ndonjë fond bashkiak e kështu, por janë thashetheme të cilat nuk janë zbardhur asnjëherë, nuk janë vërtetuar asnjëherë. Ai akuzohet sidomos gjatë periudhës së fushatës elektorale që ai donte të organizonte një fushatë për vitin 2012, për t’u rizgjedhur si president.
Dhe ndryshe kjo quhet çështja e financimit nga ana e Libisë. Pra, në shtator të vitit 2025, pra fare pak kohë më parë, as një muaj më parë, ai dënua për herë të parë me pesë vite burg për një komplot, nëse do ta quajmë kështu, për një komplot kriminal, pasi ai kishte lejuar bashkëpunëtorët e rrethit të tij që të përfitonin nga disa financime sekrete nga regjimi i Muamer Gadafit, diktatorit të Libisë, për fushatën e tij presidenciale të vitit 2007. Pra, kjo është akuza kryesore.
