Gripi i shpendëve po përhapet me shpejtësi alarmante në Gjermani, duke shkaktuar shkatërrimin e qindra mijëra kafshëve në ferma dhe shqetësim të madh në sektorin bujqësor. Sipas raportimeve të Deutsche Welle, mbi 400 mijë pula, pata, rosa dhe gjela deti janë therur dhe larguar këtë vjeshtë, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se situata mund të arrijë nivelet e krizës së viteve 2020/21, kur më shumë se dy milionë shpendë u vranë nga epidemia.
Instituti federal për shëndetin e kafshëve Friedrich-Loeffler (FLI) ka ngritur alarmin, duke e klasifikuar rrezikun e infeksionit si “të lartë”. Sipas të dhënave, vetëm gjatë tetorit janë regjistruar 26 shpërthime në ferma, ndërsa numri i kafshëve të asgjësuara shkon deri në 93 mijë për një fermë të vetme.
Fermerët kërkojnë që qeveria të ndërhyjë menjëherë me masa parandaluese, përfshirë detyrimin për mbajtjen e shpendëve në ambiente të mbyllura. “Prioriteti duhet të jetë ndalimi i përhapjes dhe mbrojtja e shpendëve,” tha Georg Heitlinder nga Shoqata e Industrisë së Shpendëve Baden-Württemberg.
Shoqata Qendrore e Industrisë Gjermane të Shpendëve (ZDG) paralajmëron për mungesa të mundshme të mishit dhe vezëve, nëse virusi nuk frenohet në kohë. “Kemi nevojë për strategji të qarta vaksinimi dhe rregulla të harmonizuara në nivel të BE-së,” theksoi presidenti i ZDG-së, Hans-Peter Goldnick.
Shkencëtarët po vënë në dukje se zogjtë shtegtarë, kryesisht vinçat, janë bartësit kryesorë të virusit H5N1. Këtë vit, mbi 2 mijë vinça janë gjetur të ngordhur në veri të Berlinit, sidomos në zonën e Linum, që është një nga vendgrumbullimet më të mëdha të shpendëve shtegtarë në Evropë. Kryetari i bashkisë së Ferbelinit e ka përshkruar situatën si “sikur jemi në një film horror”, pasi zogjtë bien të ngordhur para syve të banorëve.
Megjithëse virusi rrallë kalon te njerëzit, ekspertët paralajmërojnë se duhet ruajtur kujdes. Deri më tani, infeksionet njerëzore kanë qenë të rralla, por janë raportuar disa raste në SHBA vitin e kaluar.
Ndërkohë, shkencëtarët gjermanë në Universitetin e Heidelbergut kanë zhvilluar një model të inteligjencës artificiale që mund të parashikojë shpërthimet e reja të gripit të shpendëve në Evropë. Ky sistem bazohet në analiza të temperaturave, indekseve të ujit dhe dendësisë së kafshëve, duke mundësuar masa parandaluese më efektive.
Autoritetet gjermane po e ndjekin situatën me shqetësim, ndërsa fermerët kërkojnë mbështetje dhe zgjidhje të menjëhershme për të shmangur një krizë të re ushqimore në vend.
