E hënë e ‘nxehtë’ në Kuvend, pritet raportim maratonë i ‘Drejtësisë’/ Berisha përballë Dumanit që prej dosjes ‘Partizani’

Altin Dumani dhe Sali Berisha

TIRANE- Seanca e ditës së nesërme në Kuvend, pritet të jetë një seancë maratonë dhe nga më të gjatat e sesionit që ka nisur prej 1 muaji. Ligjvënësit do të dëgjojnë raportimet e pesë institucioneve kryesore të drejtësisë: Prokurorit të Përgjithshëm, SPAK-ut, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD), Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP).
Sipas rendit të ditës, secilit institucion i janë rezervuar nga 150 minuta debat, ndërsa në qendër të vëmendjes do të jetë përballja e parë publike mes Sali Berishës dhe kreut të SPAK, Altin Dumani, pas nisjes së hetimeve për ish-kryeministrin dhe vendosjes së tij në “arrest shtëpie” për çështjen “Partizani”.
Kjo seancë pritet të jetë një test i rëndësishëm për tonet politike në Kuvend, duke pasur parasysh sulmet e vazhdueshme që Berisha i ka drejtuar ndaj Dumanit dhe institucioneve të drejtësisë.
Në listën e deputetëve që do të mungojnë, dihet tashmë një emër: Gazment Bardhi. Kreu i grupit parlamentar demokrat është pezulluar për dy javë nga punimet e Kuvendit, pas përplasjes verbale me kryetarin Niko Peleshi gjatë seancës së kaluar.
Ndërkohë, në agjendën e ditës pritet të miratohet edhe ngritja e dy komisioneve të posaçme, për Reformën Zgjedhore dhe atë Territoriale. Marrëveshja mes dy palëve për përbërjen e komisioneve është arritur, ku pritet që në çdo komision të ketë bashkëkryetarë nga PD dhe PS, ndërsa anëtarët do të jenë edhe nga PL dhe PR./ZËRI