Nga Petrit Vasili
Gjykata Kushtetuese, me një vendim të ngjashëm me një pazar dhish dhe delesh të ca batakçinjve dhe hajdutëve fshati, asgjësoi mandatin e gjyqtares Sonila Bejtja.
Kushtetuta u shkel për faqe të zezë dhe Gjykata Kushtetuese bëri zero nenin 125, pika 3 dhe nenin 129 të Kushtetutës.
U shkel haptas Opinioni i Venecias Nr. 978/2020 CDL-AD(2020)010, që i jepte përgjigje asgjësuese kësaj çështjeje të shpikur dhe orkestruar nga duar korporatiste mafioze, ndërsa Venecia nuk është si kjo Gjykatë Kushtetuese batakçinjsh.
U shkel dhunshëm Vendimi Nr. 24 i vitit 2011 i Gjykatës Kushtetuese, që interpretonte në mënyrë asgjësuese pikërisht këtë situatë.
U përdor një ligj ku neni përkatës ka vdekur që në vitin 2022 për formulën e rrotacionit.
E pra, një Gjykatë Kushtetuese e tillë, që realisht nuk ka as moralin, as integritetin dhe as profesionalizmin e gjykatave më periferike të vendit, është prova e kalbjes gangrenoze të saj.
Kush është ai i marrë që do të kërkojë dhe do të presë të marrë drejtësi të paanshme e të bazuar në Kushtetutë dhe në ligj në një gjykatë të tillë të pacipë, që e shkel vetë Kushtetutën në mënyrën më talebaneske.
Thënë thjesht dhe me një fjalë: kjo Gjykatë nuk i duhet më as dreqit.
