Në fund të këtij viti, qeveria pritet të paraqesë për diskutim publik projektligjin për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet dhe fatkeqësitë natyrore. Lajmi u bë i ditur gjatë raportimit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) në komisionet parlamentare.
Kryetarja e AMF theksoi se pronarët e banesave do të përfitojnë dëmshpërblim në rast dëmesh, kundrejt një pagese simbolike. Sipas saj, projektligji është në fazën përfundimtare të hartimit dhe do të publikohet brenda këtij viti për konsultim me publikun dhe grupet e interesit.
Kjo nismë vjen si pasojë e tërmetit tragjik të 26 nëntorit 2019, i cili shkaktoi 51 viktima dhe mijëra banesa të shkatërruara apo të dëmtuara rëndë.
Gjatë raportimit u bë e ditur gjithashtu se qeveria po përgatit një projektligj të posaçëm për rregullimin e tregut të kriptovalutave, i cili aktualisht vepron në mënyrë të paformalizuar. Opozita ka ngritur shqetësimin se ky treg po përdoret për pastrim parash, ndaj rregullimi me ligj shihet si domosdoshmëri.
Projektligji për kriptovalutat pritet të dorëzohet gjithashtu brenda pak muajve, si pjesë e përpjekjeve për forcimin e transparencës financiare dhe mbrojtjen e konsumatorëve.
Një tjetër çështje që u diskutua ishte edhe sigurimi vullnetar për pension, përmes fondeve private, krahas atij të detyrueshëm shtetëror. AMF tha se po punohet për nxitjen e ndërgjegjësimit publik dhe krijimin e kushteve më të favorshme për pjesëmarrje në këto skema alternative pensioni.
Qeveria sjell ligj të ri për mbrojtjen e banesave nga fatkeqësitë natyrore
