edi rama-Nigel Farage
BRITANI E MADHE- Kryeministri Edi Rama nuk kurseu ironitë gjatë pjesëmarrjes në panelin e organizuar nga Chatham House me temën “Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Evropian”. Pas batutës ironike për ish-sekretaren britanike, Suella Braverman, Rama shigjetoi edhe politikanin britanik, Nigel Farage. Me këtë të fundin, kreu i qeverisë shqiptare është përplasur edhe më herët për çështjen e emigrantëve shqiptarë në Britani. Ndërkohë, nga Londra, Rama tha se Farage i kishte kërkuar të vizitonte Shqipërinë më 28 Nëntor, por ai i tha të zgjidhte një datë tjetër.
“Mikun tim të dashur Nigel, e kam ftuar, më ka premtuar edhe publikisht që do të vijë, më kërkoi një datë që përkon një datë që përkon me ditën tonë të pavarësisë dhe i thash: Nigel, më mirë të gjejmë një datë tjetër sepse në qoftë se vjen do të duhet të përballesh me heroin tonë kombëtar dhe dukesh shumë i vogël. Mendoj që s’na takon ne të vendosim se kush do zgjidhet në Britani, por e kemi parë që puna e qeverisë është diçka krejt ndryshe nga poezia në opozitë. Nuk shoh problem për të bashkëpunuar me këdo. Në fund besoj që Farage nuk është problemi, Farage është pasqyrë e problemeve i cili ka një aftësi teatrale për të qenë tërheqës, por problemet qëndrojnë tjetër kund”, tha Rama.
Më herët, në panel, Rama përmendi ish-sekretaren Suella Braverman, e cila gjatë mandatit të saj lëshoi akuza të rënda ndaj emigrantëve shqiptarë në Britani, duke i cilësuar ata kriminelë. Mes batutës dhe ironisë, Rama tha se Braverman u mor padrejtësisht me shqiptarët.
“Mua më vjen keq, më vjen shumë keq dhe e thashë dhe në një takim tjetër, që kur dikush që quhej Suela (Suella Braverman), një tjetër qeveri, kur ajo piketoi shqiptarët.. e meqë ra fjala, ku është ajo? Jo, thjesht mbaje mend, që mos u merr me shqiptarët, sepse nëse të mallkojnë shqiptarët, zhdukesh.”, u shpreh Rama.
/ZËRI
