Arrestimi i avokatit/ Abilekaj: Prokuroria është kthyer në institucion të mbifuqishëm që nuk pyet as për gjykatën

Gazetari Enton Abilekaj, i ftuar në edicionin informativ ‘Ora 19’ në SYRI TV, ka komentuar arrestimin e avokatit Uljan Bajrami, duke e cilësuar këtë ngjarje si një tregues alarmant të mungesës së sigurisë juridike në vend.

Gjatë bisedës me moderatoren Armela Ferko, Abilekaj deklaroi se:

 ‘Arrestimi i tij ka bërë që siguria e një avokati të jetë zero, dhe po ashtu edhe e një qytetari.’

Sipas tij, në Shqipëri është krijuar një realitet ku prokuroria ka marrë një fuqi të pakontrolluar, duke e lënë gjykatën jashtë loje:

 ‘Është krijuar një prokurori e mbifuqishme që nuk pyet më pas për gjykatën.’

Gazetari nënvizoi se siguria juridike është themeli i një demokracie funksionale, dhe se rasti i arrestimit të një avokati vetëm sepse ka paralajmëruar një padi ndaj një prokurori, është i papranueshëm:

 ‘Mendoj se, siguria juridike e çdo qytetari, sidomos e një avokati është thelbësore në një demokraci. Nuk mund të ndodhë, është e paimagjinueshme që të ndodhë një ngjarje si ajo e arrestimit të avokatit, sepse po paralajmëron një prokuror se do e padisë për falsifikim dokumentesh.

Pra siguria juridike e një avokati sot është zero.’

Abilekaj ngriti shqetësimin se kjo situatë krijon një precedent të rrezikshëm për avokatët dhe qytetarët, të cilët mund të ndëshkohen vetëm pse kritikojnë apo kundërshtojnë një akt të prokurorisë:

‘Nëse një avokat do të jetë i pakënaqur me punën e prokurorit, me akuzën. Nëse do të shikonte tek akuza, një punë të njëanshme dhe të qëllimshme kundër një klienti të vet, nëse do ta shprehte atë në gjykatë, do të mund të arrestohej.

Mungon siguria e qytetarit, i cili mund të arrestohet, të mbahet në paraburgim për muaj dhe të mos merret në pyetje, siç ka ndodhur me qytetarë të thjeshtë apo dhe persona të njohur, siç ka ndodhur deri më sot, dhe askush nuk merret me ta dhe të gjithë e justifikojnë me luftën ndaj korrupsionit, ndaj krimit të organizuar etj.’

Abilekaj tha se jemi përballë një sistemi të deformuar ligjor dhe kushtetues, që nuk garanton të drejtat themelore të qytetarëve:

‘Ne kemi krijuar një prokurori e cila është e mbifuqishme, e tejfuqishme dhe një gjykatë krejt të pafuqishme për të kontrolluar prokurorinë.

Dhe pastaj një sistem ligjor dhe kushtetues i cili nuk e mbron dot qytetarin në të drejtën e vet legjitime, pra në sigurinë juridike që ai duhet të ketë përballë akuzës, që është gjëja më normale në çdo vend të botës.’