Zgjedhjet e pjesshme në 6 bashki/ Berisha fton personalitetet e këtij vendi të guxojnë: I mirëpresim me shumë sinqeritet

Kryesia e PD-së ka dalë sot me një vendim jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe që i jep opozitës shqiptare një dimension tjetër. Partia Demokratike do të mbështesë kandidatë të pavarur për të fituar në zgjedhjet e pjesshme lokale, jo vetëm për Bashkinë e Tiranës, por edhe në 5 bashkitë e tjera të vendit të cilat u dekretuan nga presidenti Begaj të mbahen më 9 nëntor 2025. 

Lideri i Partisë Demokratike nxit personalitetet e këtij vendi, dhe të Tiranës të guxojnë sepse PD do i mirëpresë absolutisht  me shumë sinqeritet. I pyetur nga gazetarët pas mbledhjes së kryesisë së PD-së, Berisha nuk dha një emër por bëri të qartë se kandidatura që do të mbështetet pritet të mësohet brenda 2 ditëve pasi dhe vetë koha është shumë e ngushtë. 

Berisha denoncoi se tashmë Belinda Balluku e cila është caktuar si drejtuesja politike e zgjedhjeve të 9 nëntorit në Tiranë ka nisur takimet me bandat.

“Është takuar me Asllani i Vorës dhe me radhë dhe po takon bandat.” tha Berisha.

Më 9 nëntor do të ketë zgjedhje të pjesshme në 6 bashki të vendit; Tiranë, Vlorë, Tepelenë, Mat, Cërrik dhe Berat. Fushata elektorale për këto zgjedhje të pjesshme do të nisë më 1 nëntor.

 

Pjese nga deklarata e Berishes
Pyetje: A është Ermal Hasimja kandidat i pavarur?
Sali Berisha: Unë nuk jam këtu për të diskutuar për asnjë emër. Nuk më lejohet mua. 
Nëse unë ftoj intelektualë, ftoj specialistë, ftoj ekspertë që të konsiderojnë kandidimin e tyre në betejë për Tiranën, Beratin, në betejë për Vlorë, për të gjitha qytetet, atëherë çfarë kuptimi ka të dal e të them unë, mbështes filanin, ose nuk mbështes filanin. Jo. 
Pyetje: I plotëson ato të dhëna themi?
Sali Berisha: Tani, edhe njëherë nuk kam asnjë prononcim për kandidatin. 
Pyetje: Sa i takon çështjes, PS ka përcaktuar dhe cilët do të jenë personat që do bëjnë fushatë në degët e Tiranës, apo bashkitë e tjera… 
Sali Berisha: Ka përcaktuar bandat kriminale, se ajo Lubia ka filluar takimet me bandat. Është takuar me Asllani i Vorës dhe me radhë dhe po takon bandat.
Pyetje: Ata po takojnë bandat, ju kur do i takoni qytetarët?
Sali Berisha: Po i heq deputetet që nuk punojnë me bandat. Aty ligjin po e bëjnë bandat. 
Pyetje: Po ju qytetarët kur do i takoni?
Sali Berisha: Unë nuk them se, nuk është një kohë e ngushtë. Është një kohë e ngushtë, por ne po i bëjmë këto gjëra, do ti realizojmë. 
Pyetje: Kandidatin e pavarur deri kur do e prisni?
Sali Berisha: Mendoj se dy ditët e ardhshme do të ishte kohë e përshtatshme se dhe zgjatja është e pamundur.
Sot dhe nesër do të pritet. 
Pyetje: Keni emra të përcaktuar?
Sali Berisha: Nuk ka gjë të përcaktuar, nuk ka asgjë. Por vetë koha është shumë e ngushtë. 
Pyetje: Deri në mesin e javës do ta keni kandidatin?
Sali Berisha: Do të kemi kandidatin, ne do e mbështesim, partitë e tjera do e mbështesin ta supozojmë, por unë ftoj personalitete të këtij vendi, e këtij qyteti, të guxojnë sepse ne i mirëpresim absolutisht me shumë sinqeritet.