Dështon seanca në GJKKO/ Bardh Spahia nuk shkoi se ka thyer këmbën, prokurorja: Të vijë me paterica!

bardh spahia me paterica gjatë mbërritjes në kuvend

TIRANË- Seanca e radhës në GJKKO, në ngarkim të deputetit demokrat, Bardh Spahia, është shtyrë për shkak të mos paraqitjes së tij në Gjykatë. Avokatët e deputetit demokrat kanë justifikuar mungesën e tij, për shkak të gjendjes shëndetësore.
Sipas palës mbrojtëse, Spahia ka thyer këmbën prej 1 muaji dhe nuk i rekomandohet të lëvizë. Nga ana tjetër, prokurorja e çështjes, Dorina Bejko pasi ka shqyrtuar dokumentin e avokatëve për gjendjen shëndetësore të Bardh Spahisë, ajo i bëri me dije avokatit se klienti i tyre mund të lëvizë me paterica dhe se duhet të merren masa për paraqitjen e tij në seancën e ardhshme.
Sot në seancë do të ishte vetë Spahia i cili do të jepte deklaratat e tij. Seanca e radhës u caktua më 10 tetor dhe në pyetje do të merret Bardh Spahia.

Ish-kryebashkiaku i Shkodrës është marrë zyrtarisht i pandehur nga SPAK. Ai u kallëzua në SPAK në vitin 2022 nga Mark Molla, ish-drejtues i Ujësjellës-Kanalizimeve në Shkodër. Spahia akuzohet për kryerjen e veprës penale “Pengime për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës”. SPAK njofton se Spahia ka pushuar nga puna administratorin e Ujësjellës Kanalizimeve, Mark Mollën dhe vendosi drejtor një anëtar të FRPD-së. Ish-drejtori e denoncoi për shkarkim në shkelje të ligjit dhe gjykata e riktheu në detyrë, vendim të cilin Bardh Spahia nuk e zbatoi.
Gjatë paraqitjes së tij në SPAK, Spahia ka pretenduar se ka zbatuar vetëm ligjin duke shtuar se tashmë kjo është një çështje që mund të ndiqet administrativisht./ZËRI