Eva Golemi
TIRANE- Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor ka dhënë një reagim publik pas incidentit që ndodhi në premierën e “La Traviata”-s, ku sopranoja Eva Golemi u rrëzua në skenë dhe u dërgua në spital për kontrolle.
Në komunikatën zyrtare theksohet se artistja ndodhet në proces rikuperimi dhe gjendja e saj shëndetësore është e qëndrueshme, pa pasoja serioze. Sipas TKOB, falë ndërhyrjes së menjëhershme të stafit artistik dhe administrativ, situata u menaxhua me kujdes dhe profesionalizëm.
REAGIMI I TKOB:
Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor informon publikun e nderuar se gjatë natës së parë të shfaqjes së operës La Traviata, sopranoja e mirënjohur Eva Golemi pati një incident në skenë, në momentet e fundit të shfaqjes.
Falë reagimit të menjëhershëm të stafit artistik dhe administrativ, situata u menaxhua me kujdes dhe profesionalizëm. Znj. Golemi ndodhet aktualisht në proces rikuperimi dhe fatmirësisht gjendja e saj shëndetësore është e qëndrueshme, pa pasoja serioze.
TKOBAP shpreh mirënjohje për publikun, i cili me duartrokitjet dhe mbështetjen e tij tregoi respekt dhe dashuri për artistët tanë.
Shfaqjet tona do të vijojnë sipas programit të parashikuar. I urojmë znj. Eva Golemi shërim të shpejtë dhe rikthim të shëndetshëm e sa më të afërt në skenë.
Incidenti ndodhi gjatë premierës së operës “La Traviata”, mbrëmjen e 26 shtatorit në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit. Në skenën e fundit, ku personazhi i Violetës bie në krahët e Alfredos, tenori meksikan Mario Rojas nuk arriti ta realizonte momentin e parashikuar, duke qëndruar disa metra larg saj. Për pasojë, Golemi u rrëzua në skenë dhe u transportua menjëherë në spital për kontrolle mjekësore./ZËRI
