Shërbimet publike kundrejt uljes së taksave: Çfarë janë të gatshëm të sakrifikojnë evropianët?

Katër në dhjetë qytetarë të Bashkimit Evropian mendojnë se taksat janë shumë të larta dhe mbështesin uljen e tyre, edhe nëse kjo do të thotë më pak ose shërbime publike me cilësi më të ulët. Vetëm një e katërta do të pranonte të paguante më shumë për shërbime më të mira, ndërsa një pjesë e ngjashme preferon të ruajë gjendjen aktuale.

Anketa e fundit e Eurobarometrit, e kryer në prill 2025, tregon se 39% e europianëve janë për uljen e taksave, duke vënë në pikëpyetje të ardhmen e investimeve në kujdesin shëndetësor, arsim dhe infrastrukturë. Vetëm 27% kërkojnë taksa më të larta për shërbime më të mira, ndërsa 26% duan të mbeten në nivelin aktual. 8% nuk janë të sigurt.

“Vështirësitë ekonomike në Evropë tani mund të shpjegojnë këtë përkeqësim të mbështetjes për taksa më të larta,” tha për Euronews Business Olivier Jacques, profesor në Universitetin e Montrealit.

Vendet ku dominojnë kërkesat për ulje të taksave

Shqetësimi për barrën tatimore është më i fortë në Sllovaki (59%), Kroaci (57%), Estoni (53%) dhe Slloveni (50%), ku gjysma ose më shumë e popullsisë do të pranonte uljen e shërbimeve publike në këmbim të taksave më të ulëta. Përqindjet janë gjithashtu të larta në Rumani, Poloni, Greqi dhe disa vende të tjera të Evropës Lindore e Qendrore.

Sipas studiuesit Dimitri Gugushvili nga Universiteti KU Leuven, kundërshtimi ndaj taksave lidhet shpesh me mungesën e besimit te qeveritë: “Njerëzit kundërshtojnë taksat kur dyshojnë se paratë e tyre do të abuzohen nga zyrtarët publikë.”

Vendet që pranojnë më shumë taksa për shërbime më të mira

Në anën tjetër, Spanja (42%), Suedia (42%) dhe Finlanda (40%) kryesojnë për mbështetjen e taksave më të larta. Bullgaria dhe Greqia shfaqin gjithashtu mbështetje mbi mesataren, ndërsa në Evropën Veriore mbështetja lidhet me nivelin e lartë të besimit në institucionet shtetërore.

Në Gjermani (20%), Austri (20%) dhe Francë (23%), dëshira për taksa më të larta është shumë e ulët. Në Luksemburg (16%) dhe disa shtete të Evropës Lindore mbështetja pothuajse mungon.

Kush kërkon stabilitet?

Një në katër qytetarë të BE-së (26%) duan të ruajnë gjendjen aktuale të taksave dhe shërbimeve. Mbështetja është më e fortë në Luksemburg (47%), Maltë (46%) dhe Danimarkë (43%), ku gati gjysma e popullsisë nuk dëshiron ndryshime.

Në Evropën Jugore, kjo qasje ka pak përkrahje, me Greqinë (11%), Kroacinë (13%) dhe Italinë (18%) në fund të listës.

Ekspertët theksojnë se qëndrimet ndaj taksave varen nga besimi te institucionet dhe perceptimi mbi cilësinë e shërbimeve publike. Atje ku qeveria shihet si më e besueshme dhe shërbimet si më efikase, qytetarët janë më të gatshëm të paguajnë më shumë.